30 milionë euro të paguara në çmimin e naftës, por koncesioni i markimit nuk funksionoi

Koncesioni për markimin dhe gjurmimin e karburanteve u ka kushtuar konsumatorëve rreth 30 milionë euro, që ata kanë paguar në çmimin e naftës (shifra bazohet në të ardhurat nga tarifat të koncesionarit për periudhën 2013-2021, sipas bilancit zyrtar).

Por, kontrata e nënshkruar me afat 10-vjeçar, ku i është dhënë e drejta ekskluzive koncesionarit GFI Albania për kryerjen e shërbimit me qëllim luftimin e evazionit, rezulton se ka qenë e paefektshme, sipas pohimeve të vetë zyrtarëve të qeverisë.

Barra e kësaj kontrate rrezikon të vijojë të rëndojë mbi shtetin dhe konsumatorin. Shteti shqiptar kërkon të ngrejë një sistem të ri për gjurmimin e naftës, ndërsa kompania koncesionare ka hapur procesin gjyqësor me qeverinë për markimin e naftës bruto.

Ashtu siç paralajmëroi edhe 8 vite më parë Shoqata e Hidrokarbureve, sistemi i gjurmimit të karburanteve në Shqipëri, nëpërmjet kontratës koncesionare të miratuar në vitin 2011 ka dështuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi deputetët në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për ngritjen nga e para të një sistemi të ri gjurmimi për naftën, ndërsa tha se shteti shqiptar është në gjyq për këtë proces, pasi ai ka mbetur i pazbatuar.

“Komponenti i gjurmimit te karburantet mbetet i pazbatuar. Për këtë komponent jemi në proces gjyqësor më X kompani. Në planet e qeverisë shqiptare ishte edhe kryerja e gjurmimit të karburanteve, proces i cili nuk ka filluar. Kjo lidhet me gjyqin e shtetit shqiptar me një kompani edhe me ngritjen e një sistemi gjurmimi nga e para”.

“Monitor” mëson se është kompania koncesionare e markimit të karburanteve Global Fluid International Albania (GFI Albania) që ka hedhur në gjyq vendimin e Këshillit të Ministrave për gjurmimin e karburanteve.

Administratori i GFI Albania z. Ergys Sela i kontaktuar nga “Monitor” tha se nuk është në dijeni të deklaratave të ministres së MFE Delina Ibrahimaj për mosfunksionimin e sistemit të gjurmimit të naftës. Ndërsa i pyetur për arsyet e nisjes së procesit gjyqësor ndaj shtetit shqiptar, z. Sela nuk pranoi të komentonte.

Për këtë kontratë koncesionare, që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve, i cili rezulton i paefektshëm, të ardhurat e kompanisë për periudhën 2013-2021 ishin 3.4 miliardë lekë (rreth 30 mln euro). Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.

Kontrata u miratua nga qeveria e mëparshme në vitin 2011, me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Qëllimi i koncesionit ishte të garantonte cilësinë e produktit (mospërzierjen e tij) dhe mosndërrimin e destinacionit të karburantit (p.sh., që nafta e cila përdoret për peshkimin të mos hidhej në treg).

Kontrata koncesionare për markimin e karburanteve me kompaninë GFI Albania do të mbyllet në gusht të vitit 2023. Sipas përcaktimeve të afatit në kontratë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme për zbatimin e procedurave të mbylljes së koncesionit.

Por kompania koncesionare GFI Albania ka bllokuar procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit, me pretendimin se ende nuk është realizuar një element i kontratës, ai i markimit të naftës bruto.

Ky është rasti i dytë në Shqipëri, pas atij të koncesionit të pullave fiskale që pretendimet e kompanive koncesionare, po nxisin debate për afatet e përfundimit të kontratave, ndërsa tarifat e larta apo absurde të këtyre shërbimeve i paguan konsumatori.

Burime nga grupi i punës pohuan për “Monitor” se nuk janë lejuar të zhvillohen procedurat e mbylljes së koncesionit, pasi janë ndeshur me pretendimet e kompanisë për moszbatimin e një komponenti të saj, atë të markimit të naftës bruto.

Qëllimi i grupit të punës ishte përgatitja e inventarit për pajisjet e instaluara nga subjekti dhe përcaktimi se cila prej tyre do të kalonin në pronësi të shtetit. Burime nga grupi i punës shtuan se nga MFE nuk u janë komunikuar ndryshime në afatin e përfundimit të kontratës.

E gjitha kjo, sipas ekspertëve, tingëllon absurde, kur nafta bruto e destinuar për rafinim, ose për eksport ku depozitohet në zona të lira doganore, nuk markohet në asnjë vend të botës, ndërsa për cilësinë e naftës bruto të prodhuar në Shqipëri, koncesionari ka tentuar ta zbatojë, por teknikisht, procesi ka rezultuar i pasuksesshëm.

Mosmarkimi i naftës bruto ndezi debate edhe në fillimet e zbatimit të kontratës koncesionare, ku grupet e interesit paralajmëruan që teknikisht procesi është i pamundur të realizohet.

Markimi i naftës bruto, që prodhohet në vend, edhe pse teknikisht rezulton i pamundur, parashikohej në kontratën koncesionare të miratuar nga qeveria e mëparshme.

Në zbatim të saj, ish-qeveria “Berisha” miratoi vendimin nr.498, të datës 30 maj 2013 “Për përcaktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”. Vendimi përcaktoi edhe afatet e fillimit të këtij shërbimi, që ishte 1 tetor 2013.

“Për sa i përket naftës bruto, produkt për të cilin paguhet renta minerare, në momentin kur nafta bruto del nga depozitat/terminalet e prodhuesve të nëntokës, lind detyrimi i regjistrimit të sasisë së dalë në sistemin e doganave, apo atë tatimor, dhe rrjedhimisht detyrimi i shoqërimit të naftës bruto me DSHA-në e shoqërimit të mallit në lëvizje.

Shënjimi i naftës bruto do të bëhet përpara regjistrimit të sasisë së naftës bruto në sistemin e doganave dhe lëshimit të DSHA-së së shoqërimit të mallit në lëvizje. Administrata doganore do ta pajisë subjektin e detyruar me këtë DSHA, vetëm pasi subjekti i detyruar të paraqesë konfirmimin e shënjimit të sasisë përkatëse. Ky konfirmim gjenerohet nga koncesionari.

Dokumenti që vërteton kryerjen e shërbimit të shënjimit i gjeneruar nga koncesionari, do të jetë një nga dokumentet e domosdoshme për të vendosur produktet e shënjuara për qarkullim të lirë”, përcaktonte vendimi i 2013-s.

Këtij procesi, në thelb i parealizueshëm teknikisht, duke qenë se ishte i parashikuar në kontratë, do t’i hapej rruga e zbatimit edhe me një urdhër të ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, në vitin 2016.

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë në vitin 2016, do të deklaronte se “nafta bruto e prodhuar në vend, veçanërisht e asaj cilësie që është në Shqipëri nuk markohet, është e vështirë të markohet dhe është e vështirë të realizohet ky proces nga ana teknologjike, pavarësisht garancive që ka dhënë koncesionari.

Gjithashtu, markimi i naftës bruto nuk ndodh kurrkund. Ky element u vendos në kontratë vetëm për të rritur vlerën e të ardhurave që do të arkëtonte koncesionari”.

Por edhe sot e kësaj dite, që kanë kaluar 10 vjet nga fuqizimi i këtij vendimi, nafta bruto në Shqipëri nuk markohet, pasi është e pamundur teknikisht të realizohet.

Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ilir Bejtja, tha për “Monitor” se shteti shqiptar nuk e ka penguar koncesionarin të markojë naftën bruto, e parashikuar në kontratë.

Pavarësisht se markimi i naftës bruto është i parashikuar në kontratë, procesi praktikisht dhe teknikisht është i pamundur të zbatohet, pasi ky markues është i vlefshëm deri në 45 gradë, ndërsa prodhuesit e naftës e përpunojnë atë deri në 95 gradë.

Bejtja thekson se kompania koncesionare ka tentuar ta realizojë procesin, por teknikisht ka rezultuar i pamundur. “Shteti shqiptar nuk e ka penguar kompaninë koncesionare të markojë naftën bruto, e parashikuar në kontratë. Deri tani, procesi nuk është realizuar, pasi cilësia e naftës bruto të prodhuar në vend me destinacion eksportin, teknikisht nuk e mundëson markimin.

Megjithatë, kompania koncesionare ka provuar ta markojë naftën bruto, për të rritur të ardhurat nga markimi, pasi kjo naftë nuk përdoret në tregun vendas dhe shteti nuk përfiton nga taksat dhe akciza, por nuk ka arritur ta realizojë procesin. Për këtë arsye, mosrealizimi i procesit nuk është për fajin e qeverisë, por për faj të koncesionarit”, pohoi Bejtja.

Në këtë situatë, a mund të konsiderohet kërkesa e koncesionarit si presion ndaj qeverisë për shtyrje të kontratës, ndërsa shërbimi për gjurmimin e naftës që hidhet në treg nuk ka funksionuar dhe çmimi për konsumatorin është rritur 1 lekë për litër?

Kush do të mbajë përgjegjësi për mosgjurmimin e naftës dhe pagesën prej 29 mln eurosh për 9 vjet që i është paguar kësaj kompanie?

 

 

Markimi nuk funksionoi, nafta nuk gjurmohet

Nafta që hidhet në treg nuk markohet në asnjë shtet të Europës, me përjashtim të disa shteteve në Afrikë. Në Shqipëri, është përcaktuar me kontratë koncesionare të kryhet ky shërbim, por që teknikisht edhe pas 10 viteve në fuqi, shërbimi rezulton i parealizueshëm.

Moskryerja e këtij procesi nuk e garanton gjurmimin e naftës dhe asnjë efekt në luftën kundër evazionit, kontrabandës apo kontrollin e cilësisë së naftës.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, tha për “Monitor” se tarifa e koncesionit është një taksë shtesë absurde që i ngarkohet produktit të naftës, për një proces teknikisht të parealizueshëm nga koncesionari, pasi hedhja manualisht e markuesit në autobote, nuk garanton homogjenitetin.

Për këto arsye, Shoqata e Hidrokarbureve kërkon përfundimin e kontratës dhe mospenalizimin më tej të importuesve me këtë taksë absurde. Mosfunksionimi i skemës së markimit të naftës u paralajmërua edhe 8 vite më parë nga Shoqata e Hidrokarbureve. Luigj Aliaj thekson se problematika edhe aktualisht vijon të jetë njësoj e pranishme, ndërsa sipas tij importuesit paguajnë për markimin 6 deri në 7 milionë euro në vit.

Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve në vitin 2015 lajmëroi Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë, në mënyrë të paligjshme, mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.

“Produkti që ky koncesionar përdor si markues, nuk e di askush se çfarë përmbajtje ka, nëse paraqet rrezik për njerëzit dhe automjetet. Së dyti, nga verifikimi në vend rezulton se, në mënyrën që ky koncesionar e kryen injektimin, nuk arrin që markuesi të shpërndahet në mënyrë uniforme.

Pra nuk e realizon dot procesin e markimit dhe për pasojë, në çdo rast, ka dështuar me monitorimin. Pra nuk kryen monitorim, por vetëm merr tarifën nëpërmjet dhunës që i garantojnë VKM-të.

Në kontratë përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual, ose automatik, dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, investimi është zero. Nuk është ndërtuar asnjë impiant.

Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta me dorë në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gramë për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.

Paradoksi tjetër është se importuesve, kompania koncesionare nuk u jep asnjë certifikatë cilësie për markuesin që hidhet në karburant dhe për më tepër, asnjë autoritet shqiptar nuk e certifikon.

Për më tepër, koncesionari nuk e garanton homogjenitetin e përqendrimit të markuesit në momentin e markimit (për arsye se nuk ka ndërtuar impiantet përkatëse), por pretendon se kjo ndodh, pasi autoboti të këtë udhëtuar të paktën 10 deri 20 km.

Sipas këtij kriteri absurd që aplikon koncesionari, meqenëse shumica e konsumit është e përqendruar në Tiranë-Durrës, i bie që shumica e autoboteve të mos e përshkojnë këtë distancë, çka do të thotë se monitorimi që kërkohet të bëhet në treg është vetëm një tallje dhe dhunim i subjekteve detyruese.

Ligji i detyron grosistët që pas markimit në magazina duhet të mbahet një mostër nga karburanti, në mënyrë që ajo të krahasohet me pikat e pakicës. Por në kushtet në të cilat kryhet markimi, kjo nuk mund të ndodhë”, theksohej në shqetësimin e ngritur më herët nga kjo shoqatë.

Të ardhurat e koncesionarit

Në 9 vite, të ardhurat e kompanisë GFI Albania në periudhën 2013-2021, sipas bilanceve në QKB, janë në vlerën e rreth 30 mln euro. Në vitet 2013-2015, humbjet e kompanisë janë 2,6 mln euro, ndërsa në vitet 2016-2021 fitimet janë 7,2 mln euro. Në vitin 2021, norma e fitimit ishte 36%, ndër më të lartat në vend.

Në vitin e parë të operimit, në 2013, të ardhurat e kompanisë nga markimi i karburantit arrinin 1,1 mln euro. Vitin e parë, kompania e ka mbyllur me pozitë jo të mirë financiare. Humbjet arrinin rreth 850 mijë euro.

Më pas, në 2014, të ardhurat e kompanitë u rritën 170% më shumë se në 2013, ndërsa humbjet u thelluan me 84%. Në dhjetor të vitit 2014, GFI ka shitur 75% të aksioneve tek aksioneri i dytë, “Petroleum Consulting Partners”, që më parë kishte rreth 25% të aksioneve dhe pjesën tjetër prej 75% e kishte GFI, sipas të dhënave të QKB.

Prej 31 dhjetorit 2017 shoqëria zotërohet me 99,93% të aksioneve nga ortakët “Petroleum Consulting Partners” dhe 0,07% të kapitalit themeltar e zotëron “Global Fluids Internatiomnal S.A”

Të ardhurat e kompanisë në 2015 ishin 3,1 mln euro, ndërsa humbjet ishin 1,5 mln euro. Në vitin 2015, të ardhurat shënuan rritje të lehtë krahasuar me 2014, ndërsa humbjet e kompanisë u reduktuan 5-fish krahasuar me vitin paraardhës.

Nga viti 2016 deri më 2021, të ardhurat e kompanisë vijuan trendin rritës, me përjashtim të vitit 2020, ku për shkak të pandemisë, të ardhurat ranë 7% krahasuar me 2019. Nga 2016 rritje shënuan edhe fitimet e kompanisë.

Më 16 shkurt 2022 GFI Albania ndryshoi pronarin përfitues apo individin, që ka në pronësi apo kontrollon subjektin. Pronarët përfitues të regjistruar fillimisht për kompaninë GFI Albania ishin Ismail Mulleti (shtetas shqiptar) dhe Assaf Halkin (shtetas izraelit).

Më 16 shkurt 2022 sipas regjistrit të pronarit përfitues në QKB janë çregjistruar Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin dhe u regjistrua Nerve Korkmaz me shtetësi turke.

Burimi: QKB

Heqja e tarifës së markimit, do të ndikonte tek ulja e çmimit

Në periudhën janar-shtator 2022, sipas të dhënave të MFE, importet e karburanteve kanë pësuar rënie rreth 7% krahasuar me të njëjtën periudhë paraardhëse. Rënia e konsumit është ndikuar nga rritja e lartë e çmimit, por edhe nga furnizimet e banorëve të qyteteve kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku çmimi i naftës është më i lirë.

Operatorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me numrin e lartë të taksave që paguhen për naftën në Shqipëri, duke përfshirë edhe 3 tarifa koncesionesh që nuk i kanë vendet e rajonit.

Në Shqipëri, nafta është e ngarkuar me 5 taksa shtetërore, si: akciza, taksa e qarkullimit, taksë karboni, TVSH dhe taksë rilicencimi dhe 3 taksa që paguhen nëpërmjet koncesioneve, si taksa për markimin, skanimin dhe pompat.

Me çmimin aktual të karburantit 135 lekë, nga totali i çmimit apo 75% të tyre, e zënë taksat sipas Shoqatës së Hidrokarbureve.

Në Maqedoninë e Veriut, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza dhe TVSH-ja 18%. Produkti i naftës në këtë shtet nuk është i ngarkuar me taksën e qarkullimit dhe të koncesioneve.

Konkretisht, kontrata e koncesionit të markimit që jo vetëm që nuk arrin të realizojë kontrollin e cilësisë së naftës dhe të luftojë kontrabandën, rëndon te çmimi aktual i naftës 1 lekë për litër. Për naftën e markuar është përcaktuar tarifa e 614 lekëve (me TVSH) në nivelin e 1,000 litrave.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, pohoi se nëse importuesit nuk do ta paguanin këtë tarifë, çmimi automatikisht i naftës do të ulej 1 lekë për litër.

Ndërsa nga 1 janari këtyre taksave iu shtua dhe indeksimi i inflacionit, që sipas aktorëve të rishikohet çdo tre muaj. Vetëm nga indeksimi i inflacionit, nafta është shtrenjtuar me rreth 3-4 lekë për litër

Qeveria ndërhyri për të fiksuar çmimet e karburanteve pas rritjes së ndjeshme të tyre në fillim të muajit mars, që arritën deri në 260 lekë për litër, nga 192 lekë në fund të shkurtit, me një shtrenjtim prej rreth 35%. Aktualisht çmimi i naftës është 240 lekë për litër. /Monitor

Burimi: Ministria e Financave

 


Shtuar 13.11.2022 07:57