Diabeti i tipit 2 shkakton vlera të larta të glukozës në gjak. Identifikimi në kohë i shenjave të hershme dhe simptomave të kësaj sëmundje kronike, na jep mundësinë ta trajtojmë herët duke parandaluar disa nga komplikacionet e rënda që diabeti mund të shkaktojë.
Shumë njerëz me prediabet kanë nivel të lartë të glukozës në gjak, por mjekët nuk i konsiderojnë ende ata të si të diagnostikuar me diabet. Sipas CDC (Qendra për kontrollin e sëmundjeve dhe parandalimin), njerëzit me prediabet mund të zhvillojnë diabet brenda 5 viteve nëse nuk trajtohen.
Fillimi i diabetit të tipit 2 është gradual dhe simptomat mund të jenë të lehta në fazat e hershme. Si rezultat, shumë njerëz mund të mos e kuptojnë që po shkojnë drejt kësaj sëmundje.
Shenjat e hershme të diabetit të tipit 2, për të cilat duhet të jemi të vëmendshëm janë:
Urinim i shpeshtë
Kur niveli i sheqerit në gjak është i larte, veshkat përpiqen të eliminojnë tepricën e sheqerit duke e filtruar atë nga gjaku. Kjo çon në urimin të shpeshtë dhe kryesisht natën.
Etje e shtuar
Urinimi i shpeshtë, si pasojë e filtrimit të shpeshtë nga veshkat, shkakton humbje të lëngjeve, çka me kohën mund të rezultojë në dehidrim. Në këto kushte, shtohet etja si pasojë e nevojës për lëngje.
Uri e shtuar
Personat me diabet zakonisht nuk marrin shumë energji nga ushqimi që hanë. Ushqimet që ne marrim shndërrohen në glukozë, të cilën trupi e përdor për energji. Në personat me diabet, një pjesë e vogël e kësaj glukoze depërton në qeliza, ndaj shumica e personave me diabet ndjehen vazhdimisht të uritur.
Lodhje
Diabeti i tipit 2 ndikon në nivelin e energjisë dhe shkakton lodhje të vazhdueshme. Kjo shkaktohet nga pamjaftueshmëria e glukozës për qelizat e trupit.
Shikim i turbulluar
Niveli i lartë i glukozës në gjak mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut në sy, çka mund të shkaktojë probleme me shikimin. Problemet me shikimin mund të ndodhin në një sy ose në të dy sytë dhe mund të jenë episodike.
Nëse një person me diabet nuk trajtohet, dëmtimi në këto enë gjaku mund të përkeqësohet dhe të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit.
Shërim i ngadaltë i plagëve
Niveli i lartë i glukozës në gjak mund të shkaktojë dëmtim të nervave dhe enëve të gjakut, çka çrregullon qarkullimin e gjakut. Si pasojë, edhe plagët më të vogla mund të kthehen në problematike dhe mund të kërkojnë muaj për t`u shëruar, duke rritur gjasat për infeksion.
Mpirje, pickime dhe dhimbje në duar dhe këmbë
Niveli i larte i glukozës shkakton probleme të qarkullimit të gjakut, çka dëmton nervat. Për këtë arsye, personat me diabet të tipit 2 mund të ndiejnë mpirje dhe pickime në duar dhe këmbë.
Kjo gjendje njihet si neuropati dhe mund të përkeqësohet me kohën duke shkaktuar komplikacione serioze nëse diabeti nuk trajtohet në kohë.
Njolla të errëta në lëkurë
Njollat e errëta në lëkurë të njohura si Acanthosis Nigricans, mund të shfaqen në qafë, krahë dhe në zonën pelvike. Ato tregojnë një risk të shtuar për zhvillim të diabetit. Këto njolla mund të jenë të buta dhe të lëmuara në prekje.
Kruajtje dhe infeksione
Niveli i lartë i glukozës në gjak mund të kthej trupin tonë në një mjedis shumë të favorshëm për infeksionet mykotike. Infeksionet mykotike kanë tendencën të zhvillohen në zonat e lagështa e të ngrohta të lëkurës, si goja, gjenitalet dhe sqetullat. Zonat e prekura shkaktojnë kruajtje, skuqje dhe djegie.
Rëndësia e diagnostikimit të hershëm
Identifikimi i shenjave të hershme të diabetit na ndihmon të fillojmë ta trajtojmë në fazat e hershme. Duke marr trajtimin e duhur dhe duke kryer modifikime të shëndetshme në stilin e jetesës, mund të kontrollojmë nivelin e glukozës në gjak dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës duke reduktuar riskun për komplikacione.
Pa trajtim, niveli vazhdimisht i lartë i glukozës në gjak, mund të shkaktojë kompliakcione serioze të shëndetit, përfshij:
-Sëmundje të zemrës
-Goditje në tru
-Neuropati
-Sëmundje të veshkave
-Çrregullime të shikimit
-Probleme seksuale
Kontrolli i nivelit të glukozës në gjak është kyç në parandalimin e disa prej komlikacioneve të sipër përmendura.
Cilët janë faktorët e riskut për diabetin e tipit 2?
Çdo kush mund të zhvillojë diabet të tipit 2, megjithatë janë disa faktorë risku që rrisin gjasat për zhvillim të sëmundjes, si:
-Mosha mbi 45 vjeç
-Jeta sedentare
-Mbipesha ose obeziteti
-Dieta jo e shëndetshme
-Histori familjare me diabet
-Sindromi i ovarit policistik (PCOS)
-Diabeti gestational, sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru
-Prediabeti
Çdo kush që përjeton simptoma të diabetit duhet të konsultohet me një mjek, kryesisht nëse ka dhe faktorë risku, në mënyrë që të përcaktojë mënyrën e trajtimit për parandalim të komplikacioneve serioze.