28 palestinezë, mes tyre 9 fëmijë, vriten në sulme ajrore izraelite në Gaza

Të paktën 28 palestinezë, përfshirë 9 fëmijë, u vranë të mërkurën nga sulmet ajrore izraelite në disa zona të Rripit të Gazës, në përshkallëzimin më të rëndë të dhunës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Sulmet shënojnë një rikthim të tensioneve vetëm pak ditë pasi palët kishin hyrë në fazën e parë të shkëmbimit të pengjeve dhe të burgosurve.

Ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur objektiva të Hamasit në Khan Younis, pas një incidenti ku, sipas IDF, “disa militantë” hapën zjarr ndaj trupave izraelite, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Hamasi e mohoi kategorikisht këtë version dhe e quajti sulmin “përshkallëzim të rrezikshëm”, duke kërkuar që SHBA të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të respektuar marrëveshjen.
Pamjet nga spitalet e Gazës treguan dhjetëra të plagosur dhe familjarë të dëshpëruar pranë trupave të viktimave. Në Zaytun, një sulm goditi një zonë të banuar duke lënë të paktën 10 të vdekur, ndërsa një tjetër goditi një klub të UNRWA-s pranë Khan Younis, ku ndodheshin civilë.

Sulmet në Gaza u shoqëruan edhe me goditje izraelite në Libanin jugor, ku ushtria izraelite pretendoi se shënjestroi depo armësh të Hezbollahut. Një ditë më parë, një sulm në një kamp refugjatësh palestinez në Liban kishte lënë 13 të vrarë.

Tensionet rriten në një moment kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar planin e mbështetur nga SHBA për një paqe më të qëndrueshme dhe rifillimin e rindërtimit në Gaza. Që nga 7 tetori 2023, mbi 69 mijë palestinezë janë vrarë, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.


Shtuar 20.11.2025 11:33