Abazoviç gjen mbështetje për një qeveri pakice

Vetëm disa muaj pas zgjedhjeve, maxhoranca në Malin e Zi është lëkundur.

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS propozuan sot idenë e një qeverie pakice, që nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviç, ka thënë se ky model është një zgjidhje e mundshme, por të cilën nuk do t’ia imponojnë askujt.

“Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviç më 17 janar.

Nisma e Abazoviçit gjeti mbështetje edhe te partia e presidentit. Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, njoftoi se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e qeverisë aktuale. Mbështetje për një qeveri pakice treguan edhe Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake.

Ndërkohë, i gjetur në vështirësi, kryeministri Zdravko Krivokapic tha sot se fajtorë janë disa liderë politikë, të cilët nuk duan të marrin përgjegjësi.

Zgjidhja e kësaj situate sipas tij është që qeveria aktuale të kërkojë të përmirësojë punën e saj duke zgjeruar numrin e ministrive, duke respektuar kontekstin e brendshëm dhe ndërkombëtar, ose zgjedhjet e parakohshme parlamentare në maj së bashku me zgjedhjet lokale.

Krivokapic nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse do ta shkarkojë zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviç.

I pyetur se çfarë do të bënte ai tha se kishte paraqitur një iniciativë dhe një model për zgjidhjen e krizës dhe se ajo që thanë 41 deputetë është e detyrueshme për të.

Për të iniciuar shkarkimin e qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.

Me mbështetjen e DPS-së, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapic.

Qeveria e Krivokapicit ka një votë më shumë se sa duhet në Parlament, por ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik.

Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.

Shtuar 18.01.2022 22:50

Tags: