Ministria e Mbrojtjes bën një përditësim të situatës nga zjarret në vend, deri në orën 17:00, datë 15 Gusht, dhe thotë se janë aktive 23 vatra. Sipas institucionit, pas angazhimit të forcave të emergjencave, situata nga zjarret paraqitet e stabilizuar në shumë zona problematike.
Aktualisht po punohet në këto zona:
* Syri i Kaltër (Delvinë) – Vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në lartësitë e Malit të Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”.
* Pecë, Sirikat, Kardhikaq (Finiq) – Vatra në sipërfaqe me shkurre dhe pyje, po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore.
* Kuç (Himarë) – Zjarr në sipërfaqe pyjore, në operim forcat zjarrfikëse.
* Brataj (Selenicë) – Zjarr në shkurre dhe pyje, forcat zjarrfikëse në terren.
* Mali me Gropa, Val (Bulqizë) – Dy vatra në zonë të mbrojtur, terren i thyer; po monitorohet nga punonjës të AdZM dhe forca vullnetare.
* Tërnovë (Bulqizë) – Zjarr në pyje të dendura, në operacion 8 zjarrfikës, forca pyjore, bashkiake dhe FA, me mbështetje nga një helikopter.
* Zhapokikë, Plashnik, Rezervati Balloll (Poliçan) – Zjarr me përhapje të shpejtë, dje u evakuuan 20 banorë. Në terren po operojnë zjarrfikës, punonjës të AdZM, forca ushtarake dhe 3 helikopterë (2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 1 nga Çekia).
* Velçan (Berat) – Pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat. Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa 20 efektivë shtesë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
* Orizaj (Skrapar) – Zjarr në shkurre, pa rrezik për banesat, nën monitorim.
* Vokopolë (Poliçan) – Vatra me intensitet të ulët, nën monitorim.
* Mbrakull (Poliçan) – Situatë e qetë dhe nën kontroll.
* Ibë (Tiranë) – Zjarr i vënë nën kontroll, u shmang rreziku për banesat.
* Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Tiranë) – Vatra e vënë nën kontroll, pa rrezik për banesat.
* Ferraj dhe Zall-Herr (Tiranë) – Vatra është vënë nën kontroll, pas një pune mjaft të vështirë për shkak të terrenit.
* Spanesh, Kazie (Rrogozhinë) – Zjarr i izoluar, nën vëzhgim.
* Dhuvjan, Lugar, Frashtan (Dropull) – Zjarr i vënë nën kontroll, situata e qetë.
* Hormovë (Tepelenë) – Zjarr në lartësitë e Majës së Golikut; një vatër tjetër pranë antenave të RTSH, po mbahet nën monitorim.
* Kullollas, Kodovjat, Ermenj (Gramsh) – Është ndërprerë përhapja drejt fshatit Nartë, pas punës së forcave. Në terren zjarrfikës, forca bashkiake, FA dhe vullnetarë.
* Mukaj, Sojnik (Gramsh) – Zjarr në shkurre e ferra, nuk rrezikohen banesat; në terren forca zjarrfikëse, FA dhe vullnetarë.
* Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit (Fushë Arrëz) – Situata e rënduar, zjarri po përparon në terren të vështirë drejt zonave malore. Në operacion janë mbi 150 forca bashkiake, pyjore, vullnetare dhe efektivë të FA.
* Gërmenj (Kolonjë) – Zjarr në pyje pishe, në operim nga forcat zjarrfikëse.
* Velës (Mirditë) – Zjarri në pyll pishe, në terren forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore dhe vullnetare, me vështirësi për shkak të dendësisë së bimësisë.