Ke frikë nga errësira? Çfarë është niktofobia dhe si ta menaxhosh

Ndoshta kur ishe fëmijë kishe frikë nga errësira, por që kjo frikë u zhduk në momentin që u rrite. Të paktën me mua ka ndodhur kështu. Mirëpo, shumë persona përjetojnë ankth dhe panik edhe kur janë të rritur, në prani të errësirës në një dhomë apo në një ambient të hapur. Kjo formë e frikës nga errësira quhet Niktofobi dhe mundet që ndonjëherë të prekë aktivitetin e përditshëm të disa personave, duke i bërë që të mos frekuentojnë disa vende, apo aktivitete për të shmangur ekspozimin në errësirë.

Personat që vuajnë nga niktofobia përjetojnë ankth, panik, apo edhe depresion në kushtet e ekspozimit në errësirë. Besohej që kjo formë frike reduktohej teksa një person rritej, por fakti që ende përjetohet nga të rriturit, e hedh poshtë këtë besim.

Ndërkohë që në fëmijëri një frikë e tillë konsiderohet si normale, si pjesë e zhvillimit të fëmijëve, kjo gjë shndërrohet në problem nëse vazhdon në moshën e rritur. Faktorët që ndikojnë në theksimin e niktofobisë tek të rriturit janë prindërit që mund të vuajnë nga ankthi apo fobi të tjera, prindërit shumë protektiv (mbrojtës) ndaj fëmijëve, ose ekspozimi në ngjarje stresuese ose traumatike.

Si t’ia dalësh me niktofobinë?

Sikurse çdo frikë tjetër që nuk kërkon ndonjë trajtim specifik deri në momentin që nuk e prek aktivitetin e përditshëm, njësoj funksionon edhe me niktofobinë. Ajo mund të shndërrohet në një problem, kur krijon vështirësi për të fjetur gjumë, kur zhvilloni probleme me gjumin (si insomnia), apo kur filloni të shmangni shumë aktivitete për shkak të frikës. Sigurisht që në këto raste duhet të kërkoni ndihmën e një specialisti të shëndetit mendor.

Trajtime të tjera që mund të përdorni përfshijnë:

  1. Terapia e ekspozimit: Kjo formë e terapisë realizohet nëpërmjet ekspozimit në errësirë, deri në atë nivel saqë të mos ju shkaktojë më panic ose ankth. Terapia e ekspozimit ka të bëjë me përballjen me frikën në intensitete të ndryshme, derisa ajo të zhduket.
  2. Terapia konjitivo – biheviorale: Kjo formë terapie ju ndihmon të identifikoni burimin e ndjenjave tuaja dhe të zëvendësoni mendimet negative me mendime pozitive. Me këtë formë terapie, arrihet të kuptohet se të qëndruarit në errësirë jo gjithmonë prodhon mendime negative. Gjithsesi, terapia konjitivo – biheviorale nuk përdoret shumë për trajtimin e fobive.
  3. Ushtrimet relaksuese. Ushtrimet relaksuese përfshijnë edhe frymëmarrjet e thella, ndërsa ekspozohemi me frikën. Kët lloj ushtrimet të ndihmojnë të menaxhosh mënyrën se si përgjigjesh ndaj frikës nga errësira, apo ndaj frikërave të ndryshme.


Shtuar 29.12.2021 14:00