Paratë që do t’i humbte Juventusi nëse dështon të kualifikohet në Champions

Kur ka mbetur jashtë garës për titullin e Serie A, të cilin e kishte fituar radhazi në nëntë sezonet e kaluara, Juventusi nuk e ka të sigurt as kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Pas fitores së të mërkurës mbrëma ndaj Napolit, Zonja e Vjetër është në një situatë paksa më të mirë, pasi është ngritur në vend të tretë (me një pikë më shumë se Atalanta që është në pozitën e katërt dhe tri pikë më shumë se Partenopei që synojnë top-katërshen).

Mediat italiane, Il Corriere dello Sport dhe La Gazzetta dello Sport, raportojnë se Juventusi do të humbte mbi 80 milionë euro në rast se dështon të kualifikohet në garën elitare evropiane.

Në ndërkohë, La Gazzetta sqaron se kualifikimi i Zonjës së Vjetër në Ligën e Kampionëve është shumë i rëndësishëm kur kihet parasysh se çereku (një e katërta) e të hyrave që nga viti 2012 ka ardhur pikërisht nga gara prestigjioze.

Ndryshe, si pasojë e krizës së krijuar nga pandemia e coronavirusit, në muajin shkurt, Juve deklaroi humbje prej 113.7 milionë eurosh në gjashtë muajt e parë të sezonit 2020/2021.


Shtuar 8.04.2021 20:47