“20 shkurti po afron”, Sali Berisha: Fundi i narkodiktaturës dhe Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbajtur fjalimin e tij të përditshëm nga dritarja e banesës. Prej datës 30 dhjetor 2023, Berisha ndodhet në “arrest shtëpie”, por kjo nuk e ka ndaluar që t’i drejtohet demokratëve, të cilët çdo pasdite mblidhen në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Ashtu siç u lajmërua më herët, më 20 shkurt, Partia Demokratike do të organizojë një protestë në Tiranë. Sipas Berishës, 20 shkurti do të jetë dhe fundi i narkodiktaturës.

Sali Berisha: Mirënjohje të pakufishme ju misionarëve të vërtetë të shpresës së shqiptarëve, luftëtarëve të pamposhtur për dinjitet njerëzor, për drejtësi sociale, për interes kombëtar. Protesta juaj ka një rrezatim të fuqishëm në të katër anët e vendit. Kudo në Shqipëri sot zien pakënaqësia e madhe ndaj narkoregjimit të Edi Ramës.

Por miqtë e mi, kjo protestë ka tmerruar Edi Ramën, i cili çdo natë lë çdo gjë dhe ngulet para protestës me shpresë se do gjejë ndonjë ngushëllim. Sonte do ju rrëfej një gjë që më kanë informuar disa ditë më parë.

Çdo natë, dërgonte hafijet dhe maste rrugën që mbushni ju, përpiqeshin të numëronin, por nuk arrinin ndonjëherë, pjesëmarrësit, qëndrestarët në Rrugën e Shpresës. E vërteta është se raportet që i shkonin, e tmerruan. Raportet flisnin për mijëra e mijëra protestues.

Në fakt, ai nuk i zvogëlonte, por i zmadhonte me bashkëbiseduesit. Disa vite më parë, ish-udhëheqësi i rëndësishëm i UÇK, Fatmir Limaj më tregon: Isha në Hagë, në burg aty ishin gjeneralë kryesorë serbë. Një ditë, njëri prej tyre më pyet, Fatmir, në muajin mars të vitit 1998, sa forca të UÇK-së gjendeshit në Klinë? Fatmiri i thotë, ne ishim tre kompani, rreth 300 luftëtarë. Fatmir, i thotë, ne na raportonin se ishin 6 mijë luftëtarë.

Ua thashë këtë shembull se çfarë bën frika, se sa e keni tmerruar ju Edi Ramën. Imagjinoni ju se ç’ndodh me 20 shkurt, kur t’i kujtohen pamjet e zvarritjes së babait të tij shpirtëror. T’i kujtohet udhëtimi me familjen e tij prej bllokmeni që bëri drejt bunkerëve të Zall Herrit. Pra, 20 shkurti po afron. Është dita juaj, dita e shqiptarëve, dita e fitores. Është fundi i narkodiktaturës, fundi i Edi Ramës dhe regjimit të tij./albeu.com 


Shtuar 10.02.2024 18:59