Policia e Shtetit ka zbardhur dinamikën e atentatit mafioz që tronditi mbrëmjen e djeshme kryeqytetin.
Nga breshëria e të shtënave drejt lokalit të Fatjon Muratit në Don Bosko mbeti e vrarë aksidentalisht banakierja Mimoza Paja 58 vjeç.
Pesë të tjerë mbetën të plagosur.
Gjithashttu dje u lëndua nga ciflat e xhamave mbesa 10-vjeçare e Mimozës.
Ndërkaq policia ka zbrdhur dinamikën e ngjarjes. Sipas policisë autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit.
Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.
Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.
Pronari i lokalit është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në ditët në vijim do të japë informacion për ecurinë e hetimeve./albeu.com/