Të paktën 18 persona u vranë në sulmet ajrore ruse në rajone të ndryshme të Ukrainës , duke përfshirë kryeqytetin Kiev .
“Para së gjithash, në lidhje me sulmin rus në mëngjes…130 persona u plagosën. Të gjithëve po iu ofrohet ndihma e nevojshme. Fatkeqësisht, 18 persona u vranë”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një fjalim.
Ai tha se më shumë se 200 vende u goditën, duke përfshirë 139 shtëpi.
“Në veçanti, operacioni i shpëtimit në Kharkiv është ende duke u zhvilluar, rrënojat e ndërtesës janë duke u çmontuar”, shtoi ai.
Duke përcjellë ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë e viktimave, Zelensky paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.
Një deklaratë e Ministrisë së Mbrojtjes ruse tha se forcat e armatosura të vendit kryen sulme në mëngjes, të cilat synonin “objektet e kompleksit ushtarak-industrial të Ukrainës që prodhojnë raketa dhe përbërësit e tyre, municione dhe eksplozivë”.
“Qëllimi i sulmit është arritur. Të gjitha objektivat e përcaktuara janë goditur“, thuhet në deklaratë.
Moska dhe Kievi, kanë shkëmbyer akuza për sulmet ajrore kundër njëri-tjetrit që janë intensifikuar që nga fundi i dhjetorit, kur të paktën 40 persona u vranë në rajone të ndryshme të Ukrainës në një sulm masiv ajror, të cilin Zelensky e përshkroi si “sulmin më të rëndë” që nga fillimi i luftës.
Më 1 janar, presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij nuk do të linte “një krim të vetëm të këtij lloji” të mbetet i pandëshkuar pas një sulmi në qytetin rus të Belgorodit, i cili vrau 25 njerëz dhe plagosi shumë të tjerë.