Tirana sot feston 79-vjetorin e Çlirimit, dita kur forcat Nacional Çlirimtare fituan luftën kundër pushtuesve gjermanë.
Pak histori
Lufta për çlirimin e Tiranës zgjati 2 muaj, dhe plot 19 ditë radhazi për çlirimin e kryeqytetit. Sulmi përfundimtar filloi në mëngjesin e 16 Nëntorit, ku forcat e Brigadës 1 pushtuan Shtëpinë e Oficerëve, Sahatin, Teatrin, etj. Forcat e Brigadës VIII përparuan në rrugën e Kavajës dhe morën takim me krahun e djathtë të Brigadës I, duke e ngushtuar edhe më shumë unazën e rrethimit të armikut në qendër të kryeqytetit.
Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net luftë të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua. Operacioni për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.
Në fakt për gjermanët ishte e pamundur ta përballonin këtë betejë, pasi partizanëve iu bashkuan edhe qytetarët e Tiranës, i madh e i vogël morën pjesë. Kreu i Ushtrisë Nacional Clirimtare ishte ish diktatori Enver Hoxha, por historia thotë se betejën për clirimin e Tiranës e udhëhoqi ish kryeministri i vetvrarë në diktaturë Mehmet Shehu.
17 Nëntori i vitit ’44 ishte një ditë e lumtur për gjithë qytetarët e Tiranës. Ka disa foto sot në arkivë që tregojnë festimet e asaj dite. Luftimet për clirimin e gjithe vendit vazhduan deri në 29 Nëntor 1944, kur u clirua gjithë Shqipëria.