Kompania ‘TETE Albania’, ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar nga një grup punonjësish në Spaç, të cilët e konsiderojnë shkarkimin nga puna si të paligjshëm.
Në reagimin zyrtar, kompania deklaron se aktiviteti i saj ka qenë gjithmonë në përputhje me ligjet e Shqipërisë.
“Shoqëria u bën thirrje 43 punonjësve, kontratat e të cilëve janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës”, shkruan kompania.
Reagimi i plotë:
Si TETE Albania dëshirojmë të informojmë opinionin publik në lidhje me procesin e paligjshëm të grevës së zhvilluar gjatë ditëve të fundit. Që prej themelimit të saj, TETE Albania ka ushtruar aktivitetin në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin e punës në vecanti, duke respektuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e punonjësve dhe të gjitha proceset ligjore që burojnë prej tyre.
Shoqëria u bën thirrje 43 punonjësve, kontratat e të cilëve janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës. Siç kemi theksuar disa herë më parë, krijimi i një sindikate dhe anëtarësimi në të është e drejtë ligjore e çdo punonjësi, dhe TETE Albania nuk ka penguar dhe as nuk do të pengojë kurrë këtë proces. Megjithatë, ndërprerja e punës pa ndjekur procedurat e parashikuara në Kodin e Punës përbën shkelje të rregullave ligjore dhe cenon të drejtën për të punuar të punonjësve të tjerë që dëshirojnë të vazhdojnë detyrën e tyre.
Për këtë arsye, kompania inkurajon punonjësit të rikthehen në detyrë dhe, nëse dëshirojnë, mund të bashkohen me një sindikatë të rregjistruar sipas ligjit, e cila ka ndjekur hapat dhe procedurat përkatëse të anëtarësimit të punonjësve dhe perfaqësimit të tyre. Megjithatë në interes të të gjithë punëmarrësve duam të theksojmë se nëse situata aktuale nuk normalizohet në një afat të shkurtër, për shkak të ndikimeve ekonomike dhe operative jashtë kontrollit të administratës, kompania mund të përballet me vështirësi në shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj punonjësve aktivë.
Ndërprerja e punës ka shkaktuar tashmë dëme të ndjeshme ekonomike, që përbëjnë një “sulm ekonomik” ndaj stabilitetit të kompanisë dhe mundësive për vijueshmëri të aktivitetit. Paralelisht, kompania ka nisur procedurat ligjore për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë këtij procesi. TETE Albania beson se zgjidhja e qëndrueshme është e mundur vetëm përmes dialogut të hapur, konstruktiv e social, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit brenda kuadrit ligjor dhe procedural të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.