1500 euro për person/ Kapet në flagrancë me 4 emigrantë në makinë drejt kufirit me Malin e Zi

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin policor të koduar “By pass”, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës ndaj emigrantëve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, i cili po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës prej 1500 euro për person.

Nga hetimet paraprake rezulton se A. M., kishte marrë emigrantët në Gjirokastër dhe kishte planifikuar t’i transportonte në mënyrë të paligjshme drejt Malit të Zi.

Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 4 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.


Shtuar 2.09.2025 09:54