Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Biden në letrën e tij ka shkruar se SHBA-ja mirëpret faktin e miratimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Numri një i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se ky proces i normalizimit ka për qëllim përfundimtar njohjen-reciproke, që sipas Biden do të ndihmonte rajonin, Kosovën dhe Serbinë për një të ardhme prosperuese dhe paqësore.
“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ne mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar të njohjes reciproke, që do të ndihmonte të arrihej një e ardhme më paqësore dhe prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Bidenit./albeu.com/