140 km për të mbushur ujë për të pirë/ Qytetarët nga Durrësi udhëtojnë deri në Shkopet, shkak cilësia e keqe

Cilësia e keqe e rrjetit të ujësjellësit të Durrësit ka bërë që qytetarët e këtij qyteti të udhëtojnë deri në 140 km për të mbushur ujë për konsum familjarë.

Çdo të dielë burimi i ujit në Shkopet është plot ku qytetar të shumtë nga Durrësi, Fushë Kruja apo Kurbini dynden për të mbushur ujë për familjen.

Qytetarët durrsakë që ishin këtë të dielë pranë burimit të ujit në Shkopet thanë se uji i rrjetit nuk konsumohet pasi në të hidhet shumë klor për shkak të amortizimit të tubacioneve. Ata deklarojnë se të paktën dy herë apo një herë në muaj udhëtojnë nga Durrësi në Shkopet për të mbushur ujë në këtë burim natyral.

Sipas qytetarëve propaganda e qeverisë për ujin e pijshëm që thuhet se është cilësor, nuk është e vërtetë. Uji i rrjetit sipas tyre mund të përdoret vetëm për larje dhe jo për tu pirë.

“Unë vij nga Durrësi vetëm të mbush ujë sepse uji këtu është pa klor, ndërsa atje i fusin klor për të pastruar tubat. Uji atje mund të përdoret vetëm për të larë. Gjithmonë këtu gjen të paktën 5-6 makina që mbushin ujë, dikush tjetër që ka mundësi ekonomike më të mira e blen në dyqan”, u shpreh një nga banorët.

Me të njëjtën situatë përballen edhe zona të tjera të vendit tonë ku ka rrjet ujësjellësi. Në pjesën më të madhe të tyren, uji nuk konsumohet, ndaj qytetarët gjejnë alternativa në burime natyrale.


Shtuar 7.09.2025 18:51

Tags: