Gazetari Marin Mema, ka folur sa i përket non-gratës që i është vendosur nga Greqia në vitin 2012. I ftuar në “Top Story”, ai shprehet se nuk mund ta çojë dot këtë çështje deri në Strasburg, pasi në gjyqet greke nuk e lejojnë të kalojë shkallët përkatëse. Ai gjithashtu flet dhe për shumë persona të tjerë që janë non-grata nga Greqia për disa arsye që ai i përshkruan si absurde.
“Në 2026 hyj në vitin e 14-të. Jam përpjekur ta çoj në gjykatë. Kam kontaktuar një avokat, por nuk të lënë në Greqi të kalosh shkallët përkatëse që ta çosh deri në Strasburg, sepse e dinë që në Strasburg e humbin. Nuk futesh fare në procedurë për t’i kaluar këto shkallë. Duhet të kalosh shkallët në shtetin përkatës që ta kalosh në Strasburg.
Unë kam të njëjtin kryq. Në vendet e tjera qeshnin kur i thoja se lidhej me një qëndrim për Greqinë. Ajo që nuk kemi përmendur saç duhet është që kjo histori nuk është ndalur asnjëherë. Kur jam shpallur non-grata në vitin 2012, bashkë me mua në atë kohë janë shpallur non-grata edhe dy të tjerë që ishin me mua.
Pak muaj më parë është shpallur një aktivist non-grata se tha ‘Rroftë Çamëria’ kur erdhi Mitsotakis. Kjo gjë nuk është ndalur. Vazhdon. Një djalë kishte bërë foto në Çamëri me fëmijën e tij dhe bashkëshorten. E morën në komisariat dhe i thanë: ‘Të ka çuar Marin Mema’. Ai djalë nuk jetonte në Shqipëri. Jetonte në Suedi. I ka ndodhur shumë personave.
Mua kjo non-grata nuk më ka kushtuar asgjë, sepse kjo nuk e bllokon të vërtetën. Ti mund të bllokosh Marinin, por nuk bllokon të vërtetën të dalë në sipërfaqe. Kjo i ka dhënë më shumë zë zërit të së vërtetës. Unë habitem pse nuk ka një reagim të vërtetë. Asnjëherë nuk është mbajtur një qëndrim serioz për ta adresuar këtë çështje. Futem në vitin e 14-të. A thua se jam ky terrorist i madh që në vend të kallashnikovit kisha stilolapsin”, tha Mema.
