Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u ka bërë një ftesë kandidatëve për kryebashkiakë të zgjedhjeve të 14 majit, të dalë nga Primaret e Grupit të Berishës.
Alibeaj i fton ata të garojnë në zgjedhje nën logon e Partisë Demokratike.
“Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në menyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik”, tha thënë Alibeaj.
Fjala e Alibeajt:
Nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike;
Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa krysore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri;
T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike;
Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve.
Për këtë :
1-Në lidhje me kandidatët për këshilltarë bashkiakë:
Duhet të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshiltarëve të PD-së në bashkitë respektive. Paralelisht, kjo Kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë.
2- Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive;
Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në menyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik.
3-Në lidhje me aleancat;
PD merr përsipër ti prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon indentitetin e vet poltitk brenda korrnizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombetare dhe Perëndimore.