Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa ka uruar të gjithë shqiptarët për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë koncertit madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, Dua ftoi të gjithë të pranishmit të festojnë së bashku festën e Pavarësisë, ndërsa i falenderoi të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë.
“Dua t’ju them faleminderit, ju dua shumë. Dhe ajo që dua t’ju them është të kaloni sa më bukur, kështu që të festojmë së bashku. Gëzua Ditën e Pavarësisë!”, tha Dua Lipa.
Dua Lipa po mban një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë.
Koncerti ka nisur me Elvana Gjatën dhe këngën ‘Kuqezi’, ndërsa qindra qytetarë kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të ndjekur spektaklin në këtë mbrëmje.
Dua Lipa mbyll sonte turneun e saj botëror, për nder 110- vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë.
Para nisjes së koncertit Dua Lipa ka dhënë një mesazh të fortë nga Tirana, për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Në një konferencë për mediat, këngëtarja tha se duhet të ndryshohet stigma ndaj shqiptarëve, që jetojnë nëpër shtetet europiane./