Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Arbitrazhit për të dëmshpërblyer me 110 milionë euro biznesmenin Becchetti pas mbylljes së Agon Channel.
Në një postim në Tëitter, Rama shkruan se “para çdo fushate del që Beketi i dënuar me 16 vjet burg për mashtrim i mori Shqipërisë 100mln€”, dhe sipas tij është një lajm i prodhuar nga kundërshtarët e tij.
Në një vendim të marrë më 29 mars, një gjykatë e përbërë nga shtetasi amerikan Grant Hanessian si kryetar, Robert Anderson KC i Mbretërisë së Bashkuar dhe Charles Poncet i Zvicrës urdhëruan rrëzimin e përshpejtuar të kërkesës për rishikim nga ana e Shqipërisë si qartazi pa merita ligjore.
Gjykata argumentoi se në kërkesën e Shqipërisë nuk kishte vërtetuar se kishte marrë dijeni për ndonjë fakt të ri që nga vendosja e dëmshpërblimit në vitin 2019.
Çështja u hap në Gjykatën e arbitrazhit në vitin 2015, ku paditësit pretendonin se ishin viktima të një fushate të motivuar politikisht që synonte investimet e tyre në sektorët e medias, hidroenergjisë dhe menaxhimit të mbetjeve të vendit.
Fushata e supozuar përfshinte procedime penale shqiptare kundër Becchettit dhe drejtuesve të tjerë. Sipas pretenduesve, masat u nxitën nga kritikat ndaj qeverisë nga stacioni i tyre televiziv Agon, i cili u mbyll dhe pajisjet iu sekuestruan.
Shqipërisë përveç shumës prej 110 milionë euro të vendosura në vendimin e parë, i shtohet edhe detyrimi prej 145 mijë euro si detyrime për rihapjen e çështjes./Albeu.com/