11 vjet nga protesta e 21 janarit ku humbën jetën 4 protestues

21 janari 2022 shënon 11 vjetorin e vrasjes së katër qytetarëve të cilët protestuan në vitin 2011 para Kryeministrisë.

Ata mbetën të vrarë në protestën e organizuar nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, ndërsa Partia Demokratike ishte në qeveri.

Protesta degradoi në dhunë dhe kaos ku pati të shtëna dhe me armë zjarri, duke lënë vrarë 4 protestues.

Në një ditë si kjo e sotmja, 11 vite më parë, u ekzekutuan me armë zjarri teksa protestonin Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Edhe pse kanë kaluar 11 vite, ende nuk një hetim të plotë për këtë ngjarje. Ndërkohë, ngjarjet e 21 janarit 2011 vijojnë të jenë objekt debatesh mes PS dhe PD.

Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi në maj të 2021, hetimet për 4 viktimat dhe plagosjen e 6 të tjerëve.

Hetimi i ri i drejtuar nga prokurorja Marjeta Zaimi nisi bazuar në një kërkesë të bërë nga Policia e Tiranës një ditë para përvjetorit të dhjetë të ngjarjes, ku kërkohej rihetim.

Policia kërkoi riinspektim të predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, nëse ka laboratorë për ekzaminime kriminalistike ne vendet e BE- se dhe jashtë saj që janë në gjendje ta ekzaminojnë atë.

Në kërkesat e uniformave blu kërkohej riinspektimi hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, dhe plagosjen e  Fatos Mahmatajt, Sokrat Godes, Erald Bisha, Artes Dybelit, lia Qeskos dhe llia Papas. Kërkohej gjithashtu marrja në pyetje efektivëve të Gardës dhe personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave dhe personave dëshmitarë që kanë qenë pranë tyre në momentin e ngjarjes.


Shtuar 21.01.2022 08:14