11 orë i ndaluar, Fredi Belerit i komunikohet urdhër arresti

Firmoset urdhër arresti për kandidatin e BF, Fredi Beleri.

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua pak minuta pas mesnate, me akuzën e shit blerjes së votave në restorantin e tij në Himarë dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.

Në fletën e arrestit  thuhet se ndalimi i Belerit është bërë në mënyrë flagrante, pasi ai në bashkëpunim me persona të tjerë ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Avokati i Belerit dha dorëheqjen nga çështja  ne menyre që të dalë dëshmitar në çështje.

Pas ndalimit të  Belerit, i cili është president i shoqatës OMONIA, organizatë politiko-shoqërore që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, reagoi Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), parti që përfaqëson minoritetin grek në jug të vendit.

“E rrëmbeu policia me urdhër të Ramës. Zoti Beleri duhet të lirohet menjëherë dhe të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme”, tha Dule.

Ndalimi I Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke.

Sipas kryeministrit Edi Rama, kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, ka deklaruar në mediat greke se “Beleri ka premtuar helenizimin e Himarës”.

Duke dënuar këtë deklaratë, kryeministri i kërkoi drejtuesve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha dhe Ilir Meta të tërheqë kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. Pas ndalimit të Belerit, Ministria e Jashtme greke reagoi duke deklaruar se ka udhëzuar ambasadoren e Greqisë në Tiranë të zhvillojë një takim në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të kërkuar informacione për këtë ngjarje.

Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i kësaj bashkie në jug të Shqipërisë. Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale një takim pasditen e sotme për të përmbyllkur fushatën zgjedhore.

/albeu.com/