100 vjetori i “Urdhrit të Skënderbeut”, kryeministri Rama nderon me medaljone figurën e Artan Lames dhe Fillip Rrumbullakut

Në kuadër të 100-vjetorit të “Urdhrit të Skënderbeut”, kryeministri Edi Rama u ka dorëzuar familjarëve të të ndjerëve Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku, medaljone të këtij urdhri.

Kreu i qeverisë tha se këto 2 personalitete kanë një kontribut të pamohueshëm në rikthimin e vlerës së vërtetë të medaljeve dhe zakoneve të tjera shtetërore.

“Me propozim të Kancelarit do t’u dorëzojmë dy medalje të 100-vjetorit të urdhrit, Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut. Dy burra që nuk janë më, por pasioni dhe dijet e tyre për urdhrat, medaljet dhe zakonet e tjera të shtetit do të kujtohen si matës të integritetit. Sot Republika u shpreh mirënjohjen e saj për të ndjerët”,- tha Rama.

Historiani, koleksionisti dhe ish-drejtues i Kadastrës Artan Lame ka ndërruar jetë më 23 Maj, në Mynih të Gjermanisë. Me një profil që shtrihej mes politikës, publicistikës, historisë dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Lame për vite me radhë u kthye në një figurë të respektuar dhe një ndër njerëzit që asnjëherë nuk heshtën atëhere kur duhej folur me ndershmëri dhe pasion për vendin.

Filip Rrumbullaku ka qenë një tjetër figurë e rëndësishme, studiues e autor librash historikë. Në kohën e presidencës së Alfred Moisiut, Rrumbullaku ka shërbyer në institucion si Sekretar i Përgjithshëm.

Sakaq, me “Yllin e Madh” të Urdhrit Suprem të Shqiponjës është nderuar nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj ish-presidenti Alfred Moisiu.


Shtuar 10.12.2025 20:47