10 vjet nga aksidenti tragjik, çfarë do të thoshte sot Sokol Olldashi për gjendjen ku është katandisur PD

Nga Entela Resuli

Unë besoj se ka vetëm një formë madhështie për njeriun, nëse një njeri mund të mbushë hendekun midis jetës dhe vdekjes.

Dua të them, nëse ai mund të jetojë pasi të ketë vdekur, atëherë ndoshta ai ishte një njeri i madh. Për mua i vetmi sukses, madhështia e vetme, është pavdekësia.

Këto ishin fjalët që Ardian Olldashi nisi ditën e sotme, duke ndarë në rrjetet sociale një foto të vëllait të tij, Sokol Olldashi.

Ai është vëllai i madh i Sokolit. Kanë katër vite diferencë. Prindërit e tyre janë ndarë kur ata ishin ende fëmijë. Kjo i ka lidhur më shumë me njëri tjetrin.

Kur e mendoj veten të plakur një ditë, përballë një filxhani kafeje, do të jem i dënuar të ndaj kujtimet me veten time. Vëllai është gjaku yt, shoqërues në jetë, pavarësisht çfarë ndodh…. Koha e kaluar me të, fëmijëria, ndër më të bukurat për shumëkënd, lë pas imazhe të turbullta që duhen ndarë shpesh me ata që ke pranë, ndryshe, zhduken. Sa do të doja t’i thoja një ditë: Koli, e mban mend kur ti…,kur ne…. Ja pra, që nuk do kem më kë të bisedoj në këtë dimension, ndaj në këtë pikë, ndihem si… jetim. Edhe vëllai të lënka të tillë…” – thotë Ardian Olldashi.

Këtë 20 nëntor mbushen dhjetë vite nga nata fatale që i mori jetën deputetit të PD-së, Sokol Olldashi.

Ardiani, vëllai i madh, i cili prej vitesh jeton në Gjermani, nuk ka folur asnjëherë për mediat, por këtë herë ka bërë një përjashtim, për të ndarë disa kujtime dhe për t’u rrëfyer mbi humbjen e familjarit të tij.

Megjithëse kam kaluar fëmijëri të vështirë, jeta dhe rrethanat nuk arritën ta zhveshin atë moshë nga bukuria e saj. Jemi rritur me vuajtje, kjo për shkak të internimit që ka kaluar familja jonë. Por ndarja nga jeta e Sokolit, është momenti më i vështirë në jetën time, deri më tani. E pranoj, nuk ka qenë e lehtë për t’u përballuar, por jam dhe duhet të jem i fortë, për fëmijët e mi dhe të Kolit, pavarësisht se unë nuk e zëvendësoj dot figurën e babait, por do të jem aty, sa herë atë të kenë nevojë për ndihmë apo për një këshillë”.

Kur e pyet për 20 nëntorin e dy viteve më parë, shumë përgjigje nuk di t’i kthejë.

Mos më pyesni se nuk e di se përse, ku shkoi, kë takoi dhe me kë foli atë ditë! Pavarësisht, se e kisha vazhdimisht në mend që duhet ta merrja në telefon atë mbrëmje, nuk e mora, dhe mos më pyesni pse, se nuk di të them… Mos më pyesni për koinçidencat e çuditshme që kishte ai aksident, se nuk e di… Por mendoj se ishte një aksident.

E di që vetë Sokoli nuk ishte aspak komod në atë kohë për shumë qarqe, për shumë fraksione politike dhe ndoshta shumë do ta brohorisnin daljen e Sokolit nga jeta politike dhe ndoshta janë lutur që të ndodhte ajo gjë, por ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk ma marr mendja se ka qenë një gjë e kurdisur. E kam të vështirë ta besoj”- tregon Ardiani.

Ndërsa miqtë e partisë, Ardiani nuk do t’i komentojë. Ata që kanë qenë të vërtetë, janë ende. Të tjerët, janë skarcuar rrugës…

Sokoli ndoshta për shumë mund të mos ketë qenë një engjëll, por për familjarët, sot është i tillë.

Më poshtë biseda e Ardian Olldashit me Entela Resulin dhënë me rastin e dy vjetorit të vdekjes së Sokolit.

 -Ardian, kohët e fundit vini më shpesh apo më rrallë në Shqipëri?

Ikja e Sokolit ka ndryshuar shumë gjëra në jetën e familjes sonë, të nënës, fëmijëve gruas së tij dhe mua. Asgjë nuk është më si më parë. Këtu hyjnë dhe vajtje-ardhjet e mia, kontaktet e shtuara me familjen dhe fëmijët dhe gjithçka tjetër. Vetëm një gjë nuk ndryshon, mungesa e tij.

-Si kanë qenë këto vite pa vëllanë tuaj?

E kam të pamundur të përcjell dhimbjen time tek dikush tjetër. Mungesa është shumë e madhe, e pazëvendësueshme. Si t’ia u përshkruaj?! S’mundem!

-Z. Ardian, ju jeni djali i vogël apo i madh i familjes Olldashi?

Jam djali i madh, kam katër vjet diferencë me Sokolin.

-Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja, e kam fjalën këtu në fëmijëri, adoleshencë… sa të lidhur keni qenë me njëri-tjetrin?

Kanë qenë marrëdhënie normale, si çdo çift tjetër vëllezërish, por të përforcuara nga fakti që jeta na rezervoi disa rrethana të vështira. Ndarja e sforcuar e prindërve për arsye politike, internimi i familjes së nënës time etj… i bënë edhe më të veçanta këto marrëdhënie, më emocionale, më me ngjyra, dhe më të vëmendshme për çdo detaj të jetës së njëri-tjetrit.

-Ju më pas morët drejtime të ndryshme në jetë, Sokoli me politikë, ndërsa ju, jashtë vendit. Si ishte të kishe një vëlla, politikan, ministër…?

Zënia e kohës së tij me politikë na pati penguar disi të kalonim më shumë kohë me njeri-tjetrin, por nuk na ka penguar të jetonim me problemet dhe gëzimet e njëri tjetrit. Ai ka ditur të jetë gjithnjë vëllai im.

-Ju jeni djalë i një familjeje intelektuale, por të vuajtur në vitet e diktaturës, sa ka ndikuar kjo në formimin e karakterit tuaj. Ju ka bërë më të fortë, më tolerant, më të vrazhdë, apo…?

Ndoshta ka zhvilluar sensin e drejtësisë, ndjeshmërinë ndaj problemeve të të tjerëve, sensin e tolerancës dhe aftësinë për të falur.

– Ardian, dy vite më parë, në një natë të ftohtë dimri, ju humbët vëllain tuaj… Kur kishit folur për herë të fundit më të, përpara se të ndodhte aksidenti?

Kishim folur në telefon para dy ditësh.

-Si e mësuat lajmin dhe çfarë ju erdhi ndërmend në ato momente?

Nuk dua ta kujtoj.

–Ardian, pas çdo humbje jete njeriu ngre pikëpyetje, hamendësime, dyshime, ju çfarë ju mundon për vdekjen e vëllait tuaj?

E vërteta më e madhe dhe më e hidhur është që njeriu ynë i shtrenjtë nuk është më fizikisht me ne. Çdo e vërtetë tjetër nuk do ta ndryshonte këtë të vërtetë.

-Keni shkuar ju në vendin e ngjarjes, çfarë keni parë, çfarë keni kuptuar?

Dua ta mbaj mend Sokolin të gjallë dhe të qeshur.

-Në media jo rrallëherë janë ngritur hipoteza se aksidenti i vëllait tuaj nuk ka qenë dhe aq aksidental… Keni ju dyshime apo i qëndroni versionit zyrtar të prokurorisë?

Nuk dua të trazoj paqen e vëllait tim dhe kujtimin e tij me histori filmash policeskë.

-Z. Ardian, ka patur nga ata që e kanë njohur Sokolin nga afër, të tjerë, nga larg, ndërsa ju e njihnit në disa dimensione. Mund të na zbuloni diçka për të, për karakterin e tij, aftësitë, kapriçiot, çmenduritë…?

Ishte një vëlla special. Ndanim shumë kujtime, edukimin, prindërit, ditë jete nga e jona. Do jetë pranë meje gjithmonë. I jam mirënjohës që ishte dhe do të jetë pjesë e madhe e jetës sime. Më mungon zëri i tij në telefon, prezenca e tij në momentet e vështira, të qenurit e tij thjesht unik, buzëqeshja e tij zemërgjerë që më thoshte “gjithçka do vejë mirë” në ditë të trazuara. Ka vëllezër të cilët të ndërrojnë llambën që u dogj, zhbllokojnë lavamanin, të lyejnë shtëpinë apo të rregullojnë makinën. Për këto gjëra kishte dy duar të majta. Koli dinte të ishte prezent kur duhej, i gatshëm dhe i gjendur, pa zhurmë. Ndoshta pata fat që kisha një vëlla si ai.

-Për shkak të pozicionit, pushtetit që ka patur, Sokol Olldashi ka qenë i rrethuar nga shumë njerëz, miq. A e ndjeni prezencën e tyre edhe tani pasi ai është larguar nga kjo jetë?

Shumë miq të tij vijojnë të jenë miqtë tanë. Të tjerë, që nuk i patëm njohur, janë me qindra, i njohëm në këto rrethana. Ata, me prezencën e tyre, me fjalët e ngrohta dhe mbështetjen, na japin dashuri, duke transmetuar te ne ndjesitë që kishin për Kolin.

-Ardian, disa kohe më parë, keni zbuluar në Facebook, një mesazh që i keni dërguar vëllait tuaj, disa kohë përpara se ai të largohej nga jeta. Po ju citoj: “Kam vënë re sa shumë “miq” të janë larguar. Disa se nuk u duhesh më, të tjerët kanë frikë se u prishet biografia, ndërkohë që ndërgjegjen gjithmonë të prishur e kanë pasur. Por shumë të tjerë të kanë qëndruar, janë ata që nuk priten kurrë gjë nga ty”. Çfarë doni të thoni me këtë…?

Duhet të saktësoj detajin që ai ishte një dialog imagjinar me Kolin, pasi e kam shkruar kur ai nuk ishte më. Domethënia e mesazhit është shumë e saktë dhe direkte, pra nuk ka vend për interpretime, mungojnë vetëm emrat, por kjo nuk i pengon ata të gjejnë kategorinë të cilës i përkasin.

-Cilat ishin bisedat tuaja të fundit, ju kishte shprehur ju Sokoli shqetësime…?

Këto janë tema private dhe të tilla le të mbeten. Në aspektin politik, ju konfirmoj se ishte i shqetësuar për ecurinë dhe metamorfozën e partisë së tij.

-Ardian, me humbjen e vëllait, duket se familja juaj është ftohur ndjeshëm me drejtuesit kryesorë të PD-së, e kam fjalën për zotin Berisha apo zotin Basha. Pse ka ndodhur kjo?

Këtu nuk mund të flitet për ftohje apo jo marrëdhëniesh, pasi nuk ka pasur një raport të mirëfilltë familjar.

-A ishte Sokol Olldashi një problem për drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike?

Për sa i përket Partisë Demokratike, ai ishte një potencial shumë i madh, si në foltoret zyrtare e deri në terrenet më të vështira të vendit. Për sa i përket pjesës tjetër të pyetjes, nuk më përket mua t’i përgjigjem. Ikja e tij ka lënë pa diskutim një boshllëk në jetën politike të PD, dhe ndoshta ka ridimensionuar rolin, vlerat dhe mungesën e vlerave të shumë njerëzve aty brenda.

Unë nuk njoh strukturat e PD apo klanet e grupet që rivalizojnë aty brenda, dhe nuk di çfarë u mungon atyre. Njoh qindra demokratë të thjeshtë miq të tij, që ndjejnë mungesën e tij e cila u bëhet më e rëndë nga mospërfillja dhe shpesh lufta e atyre që kanë tentuar ta mbushin vetëm fizikisht boshllëkun që ka lënë Sokoli.

Ndjehem keq për ta, dhe për gjithkënd që mund të ndjehet i huaj në atë parti, vetëm pse ka qenë mik i Sokolit, ashtu siç ndjehem mirë që tezat politike të PD sot, janë ato për të cilën Sokoli u shmang nga drejtimi i partisë dy vite më parë dhe njerëzit që vazhdojnë t’i japin zë në publik PD, janë miqtë realë të tij. Kjo më bën krenar që kam pas një vëlla që ishte njeri i vërtetë dhe si politikan.

Si sot 10 vite më parë, në mbrëmjen e vonë të 20 nëntorit në një mot të lagësht me shi, raportohej për një aksident që kishte ndodhur në rrugën e vjetër, Elbasan-Tiranë.

Ajo çka e bënte këtë aksident të përcillej me titra në televizionet informative, e më pas me iniciale, emrin e personit që ndodhej brenda në makinë ishte fakti se, kishte humbur jetën një prej politikanëve të spikatur deri në atë kohë, deputet e ish-ministër, Sokol Olldashi.

Përplasja fatale dhe plagët e marra bën që Olldashi të humbte jetën në mënyrë të menjëhershme.

Ky aksident pati shumë pikëpyetje për nga mënyra se si kishte ndodhur, por edhe për nga koha politike në të cilën gjendej Partia Demokratike.

Vetë Sokol Olldashu nuk e kishte në atë kohë mbështetjen e Sali Berishës, i cili kishte dhenë dorëheqjen si kreu i PD-së dhe emri që donte të vazhdonte drejtimin e partisë ishte Lulëzim Basha (Sot pas 10 vitesh dihet se si kanë shkuar punët mes të dyve).

Humbja e jetës së Sokol Olldashit shkaktoj shumë reagime po ashtu e mbushi me mister dhe dyshim përplasjen e tij fatale për të cilën sot janë të shumtë ata që besojnë se nuk ishte një aksident me makinë…

Por përtej politikës Olldashi ishte djalë, vëlla, baba dhe bashkëshortë.

Ishte i martuar me Enkeleda Olldashi dhe kanë dy djem, Glaukun dhe Kleitin. Kohët e fundit, djali i madh Glauku ka filluar të aktivizohet me Partinë Demokratike, duke qenë pjesëmarrës në protesta të ndryshme, duke vendosur të ndjekë rrugën e të atit.

Ajo që nuk ndalon asnjëherë së kujtuar djalin e saj është e ëma, Kozeta Mamaqi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe vëllai i tij Ardian Olldashi këtë mëngjes në rrjetin social, Facebook.

Unë besoj se ka vetëm një formë madhështie për njeriun. Nëse një njeri mund të mbushë hendekun midis jetës dhe vdekjes. Dua të them, nëse ai mund të jetojë pasi të ketë vdekur, atëherë ndoshta ai ishte një njeri i madh. Për mua i vetmi sukses, madhështia e vetme, është pavdekësia.(James Dean)“- shkruan vëllai i të ndjerit. Komenti që tërheq më shumë vëmendje është ai i nënës së tij.

Kozeta Mamaqi shkruan: Po, zemër, vëllai yt e ka mbushur këtë hendek, për gjersa e kujtojnë kaq njerëz të mirë. Ne do ta kujtojmë sa të frymojmë, bir! Sot flisnim të dy në telefon, më shumë pa fjalë. Nuk na linte dhimbja , që të bën ngërç frymën dhe shpirtin. U bënë 10 vite …bir…!”- shpreh në këtë mënyrën dhimbje e saj teksa i shkruan të birit, nëna e Sokol Olldashit.

Sot, më 20 nëntor bëhen 10 vite pa Sokol Olldashin. Njeriu dhe politikani që e donin të gjithë, e që me ikjen e tij la pas shumë dhimbje dhe një boshllëk të madh në politikën shqiptare.

Olldashi u nda nga jeta në një aksident tragjik, teksa udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës mbrëmjen e 20 nëntorit 2013.


Shtuar 20.11.2023 16:54