10 qen rruge i sulen sipër, gruaja përfundon në spital: Mund të isha paralizuar sot

Në 4 janar të këtij viti, Flutura Hoxholli tregon se kishte shkuar nga Cërriku në Durrës, të festonte ditëlindjen e të vëllait. Pas ceremonisë, niset me të shoqin dhe djalin drejt autobusit të linjës.

Del nga autobusi për të blerë një shishe ujë, por sapo zbret sulmohet nga një tufë prej 10 qensh që i hipën sipër dhe e dëmtuan në pikën që përfundoi urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës.

Pas ekzaminimeve me grafi dhe skaner, mjekët i thonë, që kishte pësuar thyerje të vertebrës së shtyllës kurrizore L2. Flutura tani është vënë në një pajisje dhe për pak i ka shpëtuar paralizës.

Flutura Hoxholli: Më datën 4 janar 2024 kisha ditëlindjen e vëllait, e festuam këtu në Durrës dhe kur mbaruam ditëlindjen, vajtëm për të hipur në autobusin e Gramshit. U futa brenda në autobus, zumë vendet, donte dhe nja 10 minuta të ndizej autobusi. Dola bashkë me burrin. “Unë do pi një cigare”, tha, “dhe ti merr një bidon me ujë”. U nisja të merrja bidonin me ujë. M’u sul një qen nga mbrapa. U ktheva ballore qenit, që mos të më hante. Ai m’u largua njëherë, pastaj mbas tij, u turrën nja 10 qen po njëherë dhe më sulmuan. Njëri më kapi prej fustani. Edhe ato të tjerët më kapnin prej fustani, por fustani ishte copë e fortë dhe nuk arritën dot të ma shqyenin. Më hipën në gjoks dhe më rrëzuan. Nuk kisha snjë njeri aty vërdallë.

Gazetarja: Po bashkëshortin ku e kishe në atë moment?

Flutura Hoxholli: Ishte tek autobusi.

Gazetarja: Sa larg ishit ju nga autobusi?

Flutura Hoxholli: S’mund ta them dot me afërsi, por burri nuk më pa për momentin. Nuk lëvizja dot dhe thërrisja: “Ndihmë, ndihmë!”. Dëgjuan disa burra tek taksitë, erdhën larguan qentë. Pastaj m’u gjend një vajzë aty. Lajmëroi ambulancën, mori një bidon me ujë, më dha pak ujë, por unë nuk ngrihesha dot. Qëndrova aty derisa erdhi ambulanca.

Gazetarja: Mbërrite në Spitalin Rajonal të Durrësit me ambulancë. Çfarë ndodhi pastaj, e mban mend?

Flutura Hoxholli: Po, e mbaj mend. Më futën direkt, më bënë një grafi. Nga grafia, doktori që ishte në turn, dyshoi si duket tek grafia dhe më futi direkt në skaner. Tek skaneri pastaj tha që: “Ke dëmtuar një vertebër. Nga pesha që ti je rrëzuar, është shtypur dhe është thyer”.

Gazetarja: Çfarë të kanë thënë mjekët?

Flutura Hoxholli: Shtypje e L2-shit, vertebrës L2, shumë afër me shtyllën kurrizore. Domethënë, për pak kam shpëtuar nga shtylla kurrizore, se mund të isha paralizuar sot.

Në Spitalin e Durrësit askush nuk e merr në pyetje, ndaj bën një kallzim në bashki. Gazetarja e “Stop” flet me Urgjencën Kombëtare, nëse është regjistruar rasti dhe me sallën operative të Policisë Durrës. Më pas vijnë policët dhe OPGJ dhe marrin në pyetje qytetaren për ngjarjen e rëndë.

Shefi i pavionit të ortopedisë në Spitalin e Durrësit, Neritan Myderrizi, tregon se zonja do të rrijë me korse pa lëvizur, 2-3 muaj, me shërbim mjeksor, derisa të fillojë të lëvizë sërish me mjekim dhe fizioterapi.


Shtuar 18.01.2024 21:42

Tags: ,