Ministri i Financave Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, duke shpallur një investim strategjik të Qeverisë Shqiptare në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.
Bëhet fjalë për një fond prej 1 miliard lekësh apo 10 milionë dollarë që do të përdoret për pjesëmarrjen e shtetit shqiptar në startup-in ndërkombëtar “Thinking Machines Lab”, të themeluar nga Mira Murati, ish-Drejtoreshë Teknologjike e OpenAI.
Ministri Malaj theksoi se investimi nuk ndryshon parametrat fiskalë të buxhetit, deficiti mbetet në nivelin 68 miliardë lekë, ndërsa fondi është siguruar nga rritja e të ardhurave jotatimore, konkretisht nga tjetërsimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, të derdhura në buxhet nga AAPSK.
“Ky investim nuk duhet parë thjesht si një angazhim financiar, por si një mundësi strategjike për të ndërtuar të ardhmen teknologjike të Shqipërisë, për të pozicionuar vendin tonë si një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe më gjerë, si dhe për të krijuar një ekonomi më të avancuar, të lidhur me tregjet globale të dijes dhe kapitalit.
Ndërsa sa i takon aspektit të ligjit të buxhetit 2025, ndryshimet e miratuara konsistuan në:
-Rritjen me 1 miliard lekë të të Ardhurave Jotatimore, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit nga ana e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara/ AAPSK .
-Rritjen me 1 miliard lekë të shpenzimeve kapitale në zërin “Financim i brendshëm” të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim transfertën kapitale tek Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a, për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Thinking Machines Lab”.
-Ruajtjen e pa prekur të Deficitit Buxhetor, i cili pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, vazhdon të qëndrojë në nivelin rreth 68 miliardë lekë, sikundër është miratuar edhe në buxhetin fillestar 2025”, u shpreh Ministri Malaj.
Investimi
Fondet e buxhetit për këtë investim do të kalojnë përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nëpërmjet një transfere kapitale drejt Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), që do të veprojë si agjent për menaxhimin, raportimin dhe ndjekjen e investimit.
Startup-i “Thinking Machines Lab” ka tërhequr tashmë vëmendjen e investitorëve më të mëdhenj në Silicon Valley, përfshirë Andreessen Horoëitz (A16z) dhe Sequoia Capital. Aktualisht, kompania ka siguruar 1.7 miliardë dollarë nga një raund investimesh që synon të arrijë 2 miliardë dollarë, me një vlerësim të mundshëm që mund të kalojë 10 deri në 50 miliardë dollarë në të ardhmen.
Ministri Malaj theksoi se investimi përbën një hap të guximshëm për përfshirjen e Shqipërisë në një sektor me rritje të shpejtë globale, si Inteligjenca Artificiale (AI), dhe është një mundësi për të krijuar ura bashkëpunimi mes talentit shqiptar dhe qendrave botërore të teknologjisë. /Monitor.al