Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se 1 miliardë euro janë vjedhur nga inceneratorët dhe “pazari” i Ramës me CEZ. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha u shpreh se shqiptarët vetëm me CEZ-in kanë humbur 630 milionë euro, fatura të certifikuara nga kompani ndërkombëtare.
Kryedemokrati tha se për djegësin e Tiranës është dënuar Arben Ahmetaj, i cili sipas tij e ka kundërshtuar këtë çeshtje pesë herë me shkrim. Në fund Berisha tha se Kreu i SPAK, Altin Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, ishte një rast unik në jetën tuaj për të gjithë ata, në jetën e tyre që ndoqën këtë seancë se si panë grupin e mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe. Se si e panë avokatinë e shpifur që iu bë këtu një sistemi, i cili po penalizon më shumë se cilindo tjetër, qytetarin e thjeshtë. Ju, avoketërit e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni këtu se për qytetarët shqiptarë që vetëm me CEZ-in kanë humbur 630 milionë euro, fatura të certifikuara nga kompani ndërkombëtare, për shkak të pazarit që Edi Rama ka bërë me kompaninë CEZ, ndërkohë që arbitri ndërkombëtar i shkruante letër dhe i thoshte zoti kryeministër mos bëj marrëveshje sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit. Por këto i mbulon Dumani dhe dumanërit. Ai që e pëson nga ky qëndrimi i tij dhe i tyre është qytetari shqiptar, i cili pagoi sa qimet e kokës 400 milionë euro për inceneratorët që nuk kanë as nam as nishan sot. Dhe ai thotë se kam hetim paraprak pas kaq vitesh.
Po nuk mund të bëhet më i shpifur. Po çfarë hetimi paraprak mo? Janë 400 milionë euro që nuk ekzistojnë. Janë 140 milionë për djegësin e Tiranës, që nuk ka as gjurmë, që i kanë paguar njerëzit e varfër, dhe ai thotë po vazhdojmë hetim paraprak. Një mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, kryeartikektin e tyre. A e dini ju o qytetarë se kush është dënuar për djegësin e Tiranës? Është dënuar Arben Ahmetaj që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim. Dhe u dënua sepse u gjetën pllakat e banjos. Domethënë 140 milionë euro kushtonin sa pllakat e banjos të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt. A e dini o qytetarë se të marra së bashku këto bëjnë 1 miliard euro? Se të marra së bashku bëjnë dyfishim pensionesh? Se të marra së bashku bëjnë dyfishim rrogash. Nuk i ka vjedhur Altin Dumani këto, por Altin Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi,” tha Berisha.
