2023-shi shënoi një rekord sa i përket investimeve të huaja në vendin tonë duke arritur shifrën e gati 1.5 miliardë eurove me rritje 9% nga një viti më parë.
Rritjen e udhëhoqi investimi në vlera rekord në sektorin e pasurive të paluajtshme. Banka e Shqipërisë raporton se erdhën 325 milion euro për blerje shtëpie nga të huajt, më shumë se në çdo sektor tjetër.
Ndërkohë vendin e dytë për investimet e huaja e mban industria nxjerrëse, me kërkimet për naftë që vazhdojnë në vendin tonë, ndjekur më pas nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Këto janë kryesisht para që bankat sjellin në vend për të plotësuar kërkesat e kapitalit rregullator nga Banka e Shqipërisë.
Pesëshen e parë e mbyllin sektori i energjisë elektrike dhe tregtia me shumicë dhe pakicë. Ndërkohë bujqësia, një nga sektorët më të rëndësishëm në vend theu “mallkimin” dhe njohu 1 milion euro investime të huaja gjatë këtij viti.
Sa i përket shteteve nga erdhën këto investimet, në pesëshen e parë qëndron Holanda, Italia, Turqia, Austria, Kosova dhe SHBA. Për herë të parë në 30 vite amerikanët arrijnë të jenë pjesë e pesëshes së parë.
Ndërkohë Turqia pati rritjen më të fortë në vlerë gjatë 2023-it me 121 milion euro më shumë të investuar në vend, ndërsa tkurrjen më të fortë e patën investimet nga Gjermania me 32 milion euro më pak.