Tryeza e PD me opozitën, Berisha: Shqipëria është kthyer në një narkoshtet rrezik për Europën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në tryezën e organizuar nga PD me pjesëmarrjen e partive të opozitës, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe intelektualëve, duke e cilësuar këtë takim si një moment përcaktues për të ardhmen e vendit.

Në fjalën e tij, Berisha falënderoi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të një fronti të përbashkët opozitar përballë asaj që ai e quajti situatë kritike në të cilën ndodhet Shqipëria. Sipas tij, bashkimi i forcave është përgjigjja më e duhur dhe përgjegjësia më e madhe ndaj vendit dhe kombit.

Berisha akuzoi qeverinë aktuale dhe kryeministrin Edi Rama për krijimin e një narkoshteti, duke deklaruar se sot Shqipëria vlerësohet si një rrezik për Europën. Ai solli në vëmendje vitin 2015, të cilin e cilësoi si një periudhë të errët, kur sipas tij vendi u mbush me plantacione kanabisi nga Kakavija deri në kufirin me Plavën e Gucinë.

Sipas kreut të PD-së, në atë kohë propaganda qeveritare e paraqiste kultivimin e kanabisit si një alternativë zhvillimi ekonomik, një politikë që, sipas tij, u kundërshtua edhe nga zyrtarë të përgjegjshëm brenda qeverisë së asaj kohe. Berisha theksoi se paratë e drogës janë toksike dhe shkatërruese për ekonominë, demokracinë dhe shtetin ligjor.


Shtuar 9.01.2026 11:38

Tags: ,