Qeveria e re e Edi Ramës pritet të ketë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë një emër nga bota akademike dhe mjekësore. Burime të AlbEu konfirmojnë se kandidati kryesor është profesori dhe neurokirurgu i njohur, Kita Sallabanda, një figurë me karrierë të gjatë brenda dhe jashtë vendit.
Sallabanda ka lindur në Tiranë më 17 janar 1959 dhe ka shtetësi shqiptare dhe spanjolle.
Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ai u specializua në neurokirurgji në Barcelonë dhe më pas në radiokirurgji në Universitetin Karolinska të Suedisë.
Në Shqipëri ka punuar si neurokirurg në QSUT “Nënë Tereza” deri në vitin 2000, ndërsa më pas e ka zhvilluar karrierën në Spanjë, ku është angazhuar në spitalet “San Francisco de Asis” dhe “San Carlos” në Madrid.
Aktualisht drejton shërbimin e neurokirurgjisë në spitalin “Virgen del Mar” në Madrid dhe është profesor i asociuar në Universitetin Complutense të kryeqytetit spanjoll.
Sallabanda ka mbi dy dekada eksperiencë si mjek dhe pedagog, është autor i dhjetëra botimeve shkencore dhe librave të specializuar në radiokirurgji, si dhe ka marrë pjesë në mbi 100 konferenca ndërkombëtare.
Ai ka mbajtur edhe pozicione drejtuese në shoqata profesionale, përfshirë atë të Radiokirurgjisë në Spanjë dhe Shoqatën Ibero-Latin-Amerikane të Radiokirurgjisë.
Në aspektin publik, ai është nderuar me medaljen e artë nga Akademia Mbretërore e Mjekësisë në Spanjë dhe me “Ordenin e Meritës Civile” nga Mbreti Juan Carlos. Sallabanda ka shërbyer gjithashtu si Konsull Nderi i Spanjës në Shqipëri dhe ka koordinuar ndihmat humanitare të këtij vendi gjatë luftës së Kosovës.
Emërimi i tij pritet të sjellë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë një profil të spikatur profesional, me eksperiencë ndërkombëtare dhe lidhje të forta me botën akademike e mjekësore europiane.
Krahas tij që është kandidatura kryesore e Ramës, një alternativë tjetër është dhe Prof.Dr.Evis Sala, e njohur gjerësisht në Britaninë e Madhe dhe Itali. Sala është angazhuar vitet e fundit në post drejtues në njëuniversitet të njohur jopublik në Tiranë./albeu.com