Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën: 11,493,526 Euro. Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 Euro.
Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës.
Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencial.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e Qendrave të Votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Në ditën e zgjedhjeve, procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, prej të cilave 910 qendra për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimin me kusht.
