Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur njoftoi të hënën rezultatet e gërmimeve në tri pika të Zubin Potokut, konkretisht në Kalludër dhe Jabukë, ku janë zhvarrosur eshtrat e të paktën 23 viktimave.
None found
Sipas kryesuesit Agron Limani, në lokacionin e parë në Kalludër u gjetën 13 trupa, në Jabukë katër dhe në pikën e tretë në Kalludër gjashtë të tjerë.
Punimet në terren, të cilat zgjatën rreth një muaj, u kryen nga specialistë të Institutit të Mjekësisë Ligjore së bashku me ekipe të EULEX-it, Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera kompetente.
Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit, theksoi se hetimet janë përqendruar edhe te rasti i njohur si “Grupi i Intelektualëve” – 23 shqiptarë nga Mitrovica dhe Skenderaj që besohet se u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999 në zonën mes Drenit, Kalludrës dhe Jabukës.
Ai shtoi se zbulimet në terren mund të kenë lidhje me këtë ngjarje, por identifikimi përfundimtar i secilës viktimë do të konfirmohet vetëm pas analizave të ADN-së.
Procesi i ekzaminimit dhe identifikimit të mbetjeve mortore po vijon në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri të ditur se, në të tri lokacionet, janë nxjerrë dhe zhvarrosur eshtra të së paku 23 personave. Ai konfirmoi shpërndarjen: 13 në vendin e parë në Kalludër, katër në Jabukë dhe gjashtë në vendin e tretë po në Kalludër.
Kurti njoftoi se tashmë ka filluar faza e identifikimit. Mostrat e mbetjeve të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po kryhen ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Numri prej 23 personash përputhet me atë të “Grupit të Intelektualëve”, të cilët më 19 prill 1999 dyshohet se u ndaluan, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga forcat serbe, theksoi ai. Megjithatë, identifikimi i plotë mund të zgjasë disa muaj, ndaj vetëm pas përfundimit të analizave do të dihet me siguri identiteti i viktimave.
Kurti e cilësoi pritjen shumëvjeçare dhe shqetësimin e familjeve të të zhdukurve si “të papërshkrueshme” dhe kërkoi njëkohësisht zbardhjen e fatit të tyre dhe vendosjen e drejtësisë. Ai akuzoi Serbinë se po refuzon të hapë arkivat shtetërore që do të ndihmonin në sqarimin e rasteve dhe i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të rrisë trysninë mbi Beogradin për të zbatuar Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë, të miratuar në Bruksel më 2 maj 2023. Kryeministri në detyrë kërkoi veçmas hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, dosja e së cilës është klasifikuar për 30 vjet.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e vlerësoi zbulimin si jashtëzakonisht të rëndësishëm, por nënvizoi se rëndësia e tij nuk përfundon me identifikimin. Varrezat masive, sipas tij, janë edhe skena krimi.
“Pozita e mbetjeve, dëmtimet në eshtra, sendet personale, municioni dhe materialet e tjera mund të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës së vrasjes, kohës së varrimit dhe strukturave që morën pjesë në krim dhe në fshehjen e tij. Rasti është veçanërisht domethënës sepse informacioni për vrasjen dhe vendin e mundshëm të varrimit iu ishte dhënë UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës që në vitin 2003. Prandaj, krahas zbardhjes së krimit, duhet të sqarohet edhe pse u deshën më shumë se dy dekada që ai informacion të verifikohej në terren”, deklaroi Blakaj për “Bota sot”.
Ai këmbënguli se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te autorët e drejtpërdrejtë, por të shtrihet në gjithë zinxhirin e përgjegjësisë: kush i ndaloi viktimat, kush urdhëroi dhe kreu vrasjen, kush organizoi varrimin, cilat struktura policore ose ushtarake kishin dijeni dhe kush e pengoi zbulimin e vendit. Sipas një komunikate të Fondit, policia serbe ishte vënë në dijeni të vrasjes që më 19 prill 1999 dhe, në vend që të hetonte krimin, kishte urdhëruar varrosjen e viktimave, duke e bërë fshehjen e trupave pjesë të vetë krimit e jo thjesht një veprim të mëvonshëm.
Blakaj paralajmëroi se në këtë fazë nuk duhet të merret si e vërtetuar se trupat janë zhvendosur pas luftës pa u provuar nga ekspertiza mjekoligjore dhe hetimi penal. Ai vuri në dukje se duhet shqyrtuar edhe mundësia që shpërndarja e mbetjeve të jetë shkaktuar nga terreni dhe rrjedha e ujit.
Më tej, ai theksoi se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë rast për të rritur presionin ndaj Serbisë në mënyrë që të hapë arkivat, të gjenden lokacione të tjera dhe të merret përgjegjësia për krimet. Kjo çështje, sipas tij, nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklaratash politike. Ai kërkoi që hapja e arkivave dhe verifikimi i lokacioneve të dyshuara të vendosen si detyrime konkrete e të matshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Përgjegjësia e Serbisë, nënvizoi Blakaj, nuk përfundon me dorëzimin e dokumenteve – institucionet e saj duhet të hetojnë dhe ndjekin penalisht të gjithë personat e përfshirë në vrasje, zhvendosje apo fshehje të trupave.
I pyetur nëse institucionet e Kosovës pas këtij zbulimi duhet të përqendrohen te identifikimi i viktimave, te hetimi i autorëve apo te kërkimi i përgjegjësisë ndërkombëtare, Blakaj u përgjigj se këto tri procese duhet të zhvillohen paralelisht. Sipas tij, duhet përfunduar me kujdes ekspertiza mjekoligjore dhe identifikimi përmes ADN-së, duke i njoftuar familjet përpara se identitetet të bëhen publike; çdo lokacion duhet trajtuar si vend krimi, duke ruajtur provat dhe zinxhirin e ruajtjes; duhet zhvilluar hetim i pavarur penal ndaj ekzekutorëve, urdhërdhënësve, eprorëve dhe personave që ndihmuan në fshehjen e trupave; duhet hetuar pse informacioni i vitit 2003 nuk solli kërkim efektiv dhe nëse pati neglizhencë apo pengim; dhe duhet kërkuar bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe qasje në arkivat e Serbisë. Prioriteti i menjëhershëm mbetet identifikimi, por ai theksoi se identifikimi pa drejtësi do të ishte një proces i papërfunduar.
Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, e interpretoi zbulimin si dëshmi të egërsisë dhe urrejtjes së pushtuesit serb ndaj shqiptarëve. Ai kujtoi se viktimat ishin civilë të paarmatosur që përpiqeshin të largoheshin nga Kosova drejt Malit të Zi. Miftari vlerësoi se tani familjarët do të kenë mundësinë t’i varrosin të dashurit e tyre pas 27 vjetësh, por theksoi se kjo është një dhimbje e madhe.
Sipas tij, shteti i Kosovës duhet ta padisë shtetin serb për gjenocid dhe masakra të shumta dhe t’i ndjekë përgjegjësit pa u ndalur, ashtu siç ndoqi Mosadi kriminelët nazistë. Ai kritikoi qeveritë e kaluara, duke pretenduar se ato i kanë falur kriminelët serbë veçanërisht në veri dhe se vetëm kohët e fundit ka nisur ndjekja e tyre. Miftari përmendi se së shpejti pritet gjykimi në mungesë i gjeneralit serb Goran Radosavljeviç Guri, i cili mori pjesë dhe udhëhoqi forcat serbe në masakrat e Prekazit dhe Reçakut.
Ai theksoi se shteti dhe organet e drejtësisë nuk duhet të ndalojnë kurrë së ndjekuri krimet e luftës, pavarësisht nëse autorët janë serbë apo shqiptarë, dhe se ato nuk duhet të amnistohen. Sipas Miftarit, po të ishin ndjekur me kohë kriminelët serbë në veri, nuk do të vriteshin policët heronj Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku. Ai vlerësoi se vetëm qeveria e fundit ka bërë hapa të mëdhenj në veri dhe në sundimin e ligjit.
Rregullat e reja në Serie A kanë arritur tashmë atë që autorët e tyre donin të arrinin në xhiron e…
Departamenti i Shtetit po shqyrton revokimin e vizave të deri në 200.000 shtetasve të huaj që kanë kërkuar azil pasi…
Veprimtari shqiptaro-amerikan Ramazan Bekteshi ka reaguar pas aktakuzës së ngritur ndaj Fatmir Shehollit, duke ngritur dyshime dhe pyetje për shtrirjen…
Dolly Parton, një prej ikonave më të mëdha të muzikës country, kishte folur disa muaj para vdekjes për mënyrën se…
Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave në Brazil (ANPD) ka gjobitur me 153.8 milionë reais, rreth 29.8 milionë dollarë,…
1 shtatori 1939 mbetet në histori si dita kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë, duke shënuar fillimin tradicional të Luftës së…