Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë publik raportin mbi gërmimet e kryera në tri pika të komunës së Zubin Potokut, prej nga janë nxjerrë mbetje mortore që i përkasin së paku 23 personave.
None found
Kryesuesi i Komisionit, Agron Limani, deklaroi se kërkimet për personat e zhdukur në këtë hapësirë kishin nisur më herët, ndërsa rezultatet konkrete janë arritur gjatë muajit gusht.
Sipas Limanit, në lokacionin e parë në Kalludër janë identifikuar mbetjet mortore të 13 personave, në pikën e dytë në Jabukë janë gjetur katër mbetje mortore, ndërsa në lokacionin e tretë në Kalludër janë evidentuar gjashtë të tjera. Ai tha se deri tani janë identifikuar 23 persona dhe se procesi i zhvarrimit është përmbyllur me sukses.
Përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, paraqiti me rend kronologjik ecurinë e punës në terren.
Ai sqaroi se bëhet fjalë për tri lokacione me varreza masive në pjesën veriore, përkatësisht në vijën veri-perëndimore të Republikës së Kosovës, në territorin e komunës së Zubin Potokut. Zona përfshin fshatrat Dren, Kalludër, Jabukë dhe Çrepulë, të vendosura në pjesën jug-lindore të kësaj komune.
Sipas Garës, aktivitetet në terren kanë zgjatur afro katër javë, ndërsa pika e parë është konfirmuar më 27 korrik.
Për lokacionin e parë në Kalludër, ai tha se janë konstatuar të paktën 13 individë, respektivisht 13 viktima të zhdukura me forcë.
Gara njoftoi se më 27 korrik, në vendin e njohur si “Mëlleja” në fshatin Kalludër, u evidentuan fragmente kockore dhe pjesë veshmbathjeje. Sipas tij, këto mbetje kishin dalë pjesërisht në sipërfaqe për shkak të erozionit dhe lëvizjes së dheut.
Pas autorizimeve nga prokurorja e rastit në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë, më 28 korrik nisën veprimet mjekoligjore në terren. Ekspertët mjekoligjorë konfirmuan po atë ditë se lokacioni ishte një varr masiv, tha Gara.
Ai bëri të ditur se më 30 korrik filluan gërmimet sistematike. Varri masiv u nda në segmente, me qëllim që mbetjet mortore të evidentoheshin, gjendeshin dhe dokumentoheshin me saktësi.
Me zgjerimin e zonës së trajtuar dhe zbulimin e mbetjeve të tjera, numri minimal i individëve është përditësuar gradualisht në përputhje me gjetjet në terren, deklaroi Gara.
Gjatë procesit, sipas tij, është vërtetuar se lokacioni i parë nuk përbënte varr primar dhe se aty nuk mund të ndodheshin mbetjet e të gjithë 23 personave.
Lokacioni i dytë në Jabukë është konfirmuar më 2 gusht, ndërsa gërmimet në atë pikë kanë nisur një ditë më vonë.
Gara tha se deri në përfundimin e punës më 3 gusht janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave. Ato më pas janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore dhe procedurat përkatëse.
Gërmimet dhe zhvarrimet janë realizuar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, së bashku me ekspertët e EULEX-it të angazhuar në kuadër të IML-së. Në këtë proces kanë ofruar mbështetje Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policia e Kosovës dhe institucione të tjera.
Ai theksoi se hetimet janë përqendruar edhe në rastin e quajtur “Grupi i Intelektualëve”.
Sipas Garës, angazhimi ka pasur në fokus personat e zhdukur me forcë nga kjo zonë ose ata që janë parë për herë të fundit aty. Në këtë kuadër përfshihet rasti i “Grupit të Intelektualëve”, me 23 bashkatdhetarë nga komunat e Mitrovicës dhe Skenderajt, të cilët gjatë udhëtimit nga fshati Koshtovë i komunës së Skenderajt drejt Malit të Zi janë rrëmbyer dhe zhdukur mes fshatrave Dren, Kalludër dhe Jabukë, diku më 19 prill, nga forcat ushtarake të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.
Gjetjet dhe informacionet e siguruara deri në këtë fazë e lidhin me kusht këtë proces me rastin e “Grupit të Intelektualëve”, por identiteti i secilit person duhet të përcaktohet më tej përmes analizave të ADN-së, tha Gara.
Ai shtoi se krahas këtyre veprimeve, puna hetimore, operative dhe mjekoligjore ka vijuar për gjetjen e lokacioneve të tjera të mundshme.
Në tri pikat e gërmimit në Kalludër dhe Jabukë janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave. Identifikimi individual pritet të vazhdojë përmes ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së.
Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mullet të Tiranës, pasi dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në ajër përballë…
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se partia e tij është gati për zgjedhje, edhe nëse ato mbahen menjëherë, por…
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të mbajtur dje në Pogradec, deklaroi se është diskutuar edhe krijimi i pasqyrës unike…
Dhjetëra mijëra vetëve u është kërkuar të evakuohen nga një zonë pranë Renos, Nevada në SHBA, pasi zjarri masiv pyjor…
Një gjykatë federale apeli në SHBA ka konfirmuar se emërimi i prokurorit John Sarcone në drejtimin e Prokurorisë Federale në…
“Rama dhe Lubi Balluku, aksionerë të aeroportit të Vlorës”- Berisha denoncon: Kanë përcaktuar për vetën e tyre 130 mln euro…