Categories: kosovë

Vuçiq kërcënon me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, ekspertët ndahen për rrezikun ndaj Kosovës

Një deklaratë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rikthyer shqetësimet për sigurinë ujore dhe energjetike të Kosovës. Ai ka bërë të ditur se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër brenda territorit të Serbisë.

Të lidhura

None found

Vuçiq e ka justifikuar një veprim të mundshëm me pretendimet e tij për mënyrën se si trajtohen serbët nga institucionet e Kosovës, duke e kthyer çështjen e ujërave ndërkufitare në një instrument të drejtpërdrejtë të debatit politik.

deklarata ka nxitur diskutime mbi faktin nëse Serbia mund ta shfrytëzojë kontrollin ose ndërhyrjen në rrjedhën e Ibrit si mjet presioni ndaj Kosovës, si dhe mbi pasojat që një situatë e tillë do të kishte për ujin e pijshëm, energjinë, bujqësinë, mjedisin dhe sigurinë kombëtare.

Ndjeshmëria e kësaj çështjeje lidhet me rëndësinë strategjike të lumit Ibër dhe, veçanërisht, me sistemin Ujman–Ibër-Lepenc. Një ndryshim në sasinë ose rrjedhën e ujit do të mund të shkaktonte pasoja në disa fusha jetike të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Përballë kësaj situate, mbetet e hapur dilema nëse deklarata e presidentit serb është thjesht pjesë e retorikës politike dhe luftës hibride, apo nëse duhet të trajtohet menjëherë nga Kosova si kërcënim konkret për sigurinë kombëtare dhe të adresohet në arenën ndërkombëtare.

Po aq i rëndësishëm pritet të jetë edhe reagimi i institucioneve të Kosovës dhe i partnerëve të saj, përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, ndaj çdo përpjekjeje për shndërrimin e burimeve ujore në mjet të presionit politik.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, e cilësoi deklaratën e Vuçiqit si propagandë dhe si një tjetër element të luftës hibride të Serbisë.

Sipas Dashevcit, një ndryshim i rrjedhës së Ibrit nuk mund të realizohet ligjërisht, pasi konventat ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare nuk e lejojnë një ndërhyrje të tillë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për shqyrtimin e ‘mundësisë’ për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin serb, duke e lidhur këtë pretendim me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë. Por kjo mundësi është e pamundur, sepse konventat ndërkombëtare për ujërat nuk e lejojnë”, deklaroi ai.

Eksperti vlerësoi se pretendimet e presidentit serb nuk përputhen me realitetin në Kosovë dhe se synimi i tyre është krijimi i presionit politik, ndërsa vëmendja zhvendoset nga problemet e brendshme të Serbisë.

“Deklarata e Vuçiqit është puro propagandë për nevojat e tij të brendshme politike. Ajo synon të largojë vëmendjen nga problemet e shumta që ai ka me popullin e tij në atë shtet dhe është vazhdim i luftës së tij hibride. Është hera e dytë që përmendet një propagandë pa efekt praktik dhe absolutisht e pamundur”, u shpreh Dashevci.

Ai theksoi se përdorimi i ndryshimit të rrjedhës së Ibrit si instrument presioni ndaj Kosovës është praktikisht i parealizueshëm për shkak të kufizimeve të së drejtës ndërkombëtare.

“Nuk e konsideroj aspak serioz këtë kërcënim. Në aspektin e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, rreziku që Serbia ta përdorë ndryshimin e rrjedhës së Ibrit si mjet presioni ndaj Kosovës është zero. Nuk mund të ketë pasoja nga një veprim që konventa ndërkombëtare e ndalon në mënyrë strikte dhe njësoj për të gjithë botën”, tha ai.

Megjithëse e sheh si të pamundur zbatimin e një skenari të tillë, Dashevci kërkoi që Kosova të reagojë në mënyrë aktive përmes diplomacisë.

Ai tha se çështja duhet të ngrihet pa vonesë në nivel ndërkombëtar dhe të diskutohet në bashkëpunim me aleatët kryesorë të Kosovës.

“Kosova duhet ta alarmojë bashkësinë ndërkombëtare me të gjithë kapacitetin e saj diplomatik. Çështja duhet të ngrihet menjëherë në nivel ndërkombëtar, përmes një reagimi të koordinuar me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe, mbi të gjitha, SHBA-në, si dhe me institucionet e tjera ndërkombëtare”, përfundoi Dashevci.

Një vlerësim tjetër ka dhënë Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major në pension, i cili konsideron se deklarata nuk duhet parë vetëm si retorikë politike apo si diskutim teknik për ujërat.

Racaj e cilësoi çështjen si të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, sigurinë njerëzore dhe luftën hibride.

“Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër dhe se këtë e lidh me pretendimet për trajtimin e serbëve në Kosovë, duhet marrë shumë seriozisht. Kjo nuk është vetëm deklaratë politike apo debat hidroteknik. Ajo duhet analizuar si çështje e sigurisë kombëtare, sigurisë njerëzore dhe luftës hibride.

Një parim po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare: shekulli XXI është shekulli i konkurrencës dhe luftës për energji, ndërsa shekulli XXII mund të shndërrohet në shekullin e përplasjes së ashpër për ujë dhe burime të tjera jetike. Për këtë arsye, uji nuk duhet parë më vetëm si pasuri natyrore, por edhe si resurs strategjik.

Në rastin e Kosovës, rëndësia e Ibrit dhe në veçanti e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc është shumë më e madhe nga sa mund të duket. Një raport i laboratorit amerikan Pacific Northëest National Laboratory (PNNL), i publikuar në vitin 2021, e vlerëson Liqenin e Gazivodës/Ujmanit si pjesë të rëndësishme të sigurisë ujore dhe energjetike të Kosovës. Sipas raportit, uji i liqenit siguron rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës dhe shërben për ftohjen e dy termocentraleve me qymyr, të cilat në atë kohë prodhonin rreth 95 për qind të energjisë elektrike të Kosovës.

Kjo e rrit ndjeshëm seriozitetin e situatës. Nëse një shtet arrin të ndikojë qëllimisht në sasinë, cilësinë ose rrjedhën e ujit, pasojat mund të shtrihen zinxhir në ujin e pijshëm, bujqësi, industri, energji, shëndetin publik dhe stabilitetin shoqëror”, deklaroi Racaj për “Bota sot”.

Shqetësimet e tij lidhen edhe me ngjarjet e mëparshme që kanë prekur infrastrukturën ujore të Kosovës, veçanërisht me sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024.

“Deklarata e Vuçiqit duhet parë në dritën e asaj që ndodhi në nëntor të vitit 2024, kur një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës. Si pasojë u ndërpre furnizimi me ujë dhe u vu në rrezik sistemi energjetik i vendit. Pas incidentit u shtuan masat e sigurisë, ndërsa KFOR-i ndërmori masa për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Përgjegjësia për sulmin mbeti pjesë e akuzave dhe hetimeve, ndërsa Beogradi mohoi përfshirjen.

Pikërisht për këtë arsye, deklarata e fundit e presidentit serb është shqetësuese, sepse e nxjerr ujin nga fusha e bashkëpunimit teknik dhe e vendos atë në kuadrin e presionit politik e potencialisht të sigurisë.

Nga ana teknike, siç ka argumentuar edhe inxhinieri hidroteknik Mumin Morina, rrjedha e një lumi mund të ndryshohet përmes veprave hidroteknike. Por mundësia teknike nuk i jep një shteti të drejtën ta ndërmarrë këtë veprim sipas vullnetit të tij. Kjo është pikërisht pika ku zbatohet e drejta ndërkombëtare.

Konventa e UNECE-së për ujërat ndërkufitare mbështetet në tri parime kryesore: shmangien e dëmit ndërkufitar, shfrytëzimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave, si dhe bashkëpunimin mes shteteve që ndajnë të njëjtin sistem ujor. UNECE nënvizon se çdo ndërhyrje në rrjedhë që mund të pakësojë ose ndryshojë prurjet në shtetin poshtë rrjedhës duhet të trajtohet brenda këtyre detyrimeve dhe përmes konsultimeve ndërmjet palëve.

“Rrjedhimisht, uji nuk mund të kthehet në armë politike dhe as të përdoret si mjet ndëshkimi ndaj një popullsie”, u shpreh Racaj.

Sipas tij, përgjigjja e Kosovës duhet të jetë e shpejtë, e koordinuar dhe të përfshijë njëkohësisht dimensionin diplomatik, atë të sigurisë dhe planifikimin strategjik.

“Në vlerësimin tim profesional, ky kërcënim duhet trajtuar në tri nivele.

Në radhë të parë është niveli diplomatik. Kosova duhet ta dokumentojë menjëherë deklaratën dhe ta dërgojë zyrtarisht te BE-ja, SHBA-ja, NATO-ja, Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Nuk duhet pritur që kërcënimi të shndërrohet në veprim përpara se të ndërmerret reagimi.

Niveli i dytë është siguria. Infrastrukturat ujore duhet të konsiderohen infrastrukturë kritike kombëtare. Këtu përfshihen Ujmani, kanali Ibër-Lepenc, objektet e furnizimit me ujë dhe pjesët e sistemit që lidhen me prodhimin e energjisë. Siguria e tyre duhet të jetë fizike, kibernetike, teknologjike dhe informative.

Niveli i tretë është ai strategjik. Kosova duhet të krijojë alternativa dhe rezerva, pasi një shtet është më pak i ekspozuar ndaj shantazhit kur nuk varet nga një burim i vetëm. Për këtë nevojitet diversifikimi i burimeve ujore, rezervuarëve, rrjeteve të furnizimit, kapaciteteve emergjente dhe lidhjeve energjetike”, deklaroi Racaj.

Prof. Dr. Racaj e vendosi këtë situatë edhe në kuadrin e luftës hibride, ku burimet jetike dhe infrastruktura kritike mund të përdoren për presion pa u shoqëruar domosdoshmërisht nga një përballje e drejtpërdrejtë ushtarake.

“Duhet të kemi parasysh dimensionin e luftës hibride. Konflikti modern nuk nis domosdoshmërisht me tanke dhe avionë. Ai mund të marrë formë përmes një deklarate politike, një fushate dezinformimi, presionit ekonomik, një sulmi kibernetik, sabotimit të infrastrukturës ose manipulimit të një burimi jetik. Në këtë kuptim, përdorimi i ujit si instrument presioni do të përbënte një shembull tipik të luftës hibride kundër një shteti dhe shoqërie.

Megjithatë, duhet bërë dallimi mes dy gjërave: deklarata politike nuk është e njëjtë me realizimin teknik të një projekti. Nuk duhet të shkaktohet panik, por duke pasur parasysh përmasat e pasojave të mundshme, shteti duhet të udhëhiqet nga parimi i parandalimit.

Kosova duhet t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë krijimin e një mekanizmi të përhershëm monitorimi dhe bashkëpunimi për ujërat ndërkufitare të Ibrit. Ky mekanizëm duhet të garantojë transparencë për çdo projekt të ri hidroteknik që mund të ndikojë në rrjedhën e ujit.

Mesazhi duhet të jetë i prerë: Ibri nuk mund të përdoret si instrument politik dhe Ujmani nuk mund të shndërrohet në armë presioni ndaj Kosovës”, përfundoi Prof. Dr. Muhamet Racaj për “Bota sot”.

të fundit

Maresca flet për detyrën e trashëguar nga Guardiola: Zgjedhja e kapitenit, e ardhmja e Rodrit dhe pesha e përgjegjësisë

Enzo Maresca ka nisur të përballet me një nga sfidat më të mëdha në karrierën e tij: pasimin e Pep…

2 minutes ago

Londrim Mekaj po shijon pushimet në Ibiza

Fituesi i edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova, Londrim Mekaj, po shijon disa ditë pushimi në Ibiza, Spanjë.…

17 minutes ago

Bllatë, dogana ndalon futjen ilegale të mbi 3 mijë gjilpërave dhe materialeve për tatuazh

Në pikën kufitare Bllatë është parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mbi 3 mijë gjilpërave dhe pajisjeve të tjera për…

17 minutes ago

Situatë alarmante në Kopshtin Zoologjik të Tiranës: Kafshët përpëliten në temperatura përvëluesetë, pa ujë dhe të sëmurë

Këto pamje janë siguruar këtë të martë nga News24 dhe Balkanweb  në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, ku në temperatura që…

19 minutes ago

BE-ja kritikon Vuçiqin për deklaratat mbi Ibrin: Pengojnë normalizimin Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër,…

21 minutes ago

Leipzig, makina gjermane e parave: Mbi 800 milionë euro të arkëtuara nga shitja e talenteve te gjigantët e Evropës

RB Leipzig është një klub modest gjerman i formuar në vitin 2009 kur Yan Diomande ishte ende tre vjeç. Sot,…

26 minutes ago