Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur të shtunën zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, për një takim në Presidencë.
Kjo është vizita e parë e Bakerit në Kosovë.
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë në pritje të Bakerit në Kosovë, më 1 gusht, se zyrtari amerikan do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të promovuar sigurinë rajonale.
Baker është takuar të shtunën edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani.
Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësinë më të mirë të mbështetjes së angazhimit politik në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Baker e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë” është thënë në komunikatën e KFOR-it në Facebook.