Vjosa Osmani akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Kosovë: Po blen vota dhe po frikëson qytetarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend më 12 tetor.

Osmani i bëri këto deklarata gjatë takimit që zhvilloi me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

“Presidentja Osmani vuri theks të veçantë te ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës”, u tha në njoftimin e Presidencës kosovare.

Osmani bëri thirrje për angazhim në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor, duke “dënuar ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar”.

“Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës”, u tha në njoftim.

Dy ditë më parë, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet e 12 tetorit, përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare.

Kurti deklaroi se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, deklaroi ai./rel


Shtuar 9.10.2025 19:20

Tags: ,