Vetëvendosje shpall fitoren: Do të krijohet Qeveria Kurti 3

Kryeministri Albin Kurti ka shpallur fitoren e Vetevendosjes në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se ky rezultat është pasojë e një qeverisjeje të mirë dhe të suksesshme. Kurti falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe siguroi se koalicioni i tij do të formojë Qeverinë e re “Kurti 3”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet parlamentare dhe për votimin pa incidente, duke theksuar se procesi ishte i lirë, demokratik dhe i ndershëm. Ai falënderoi gjithashtu policinë për sigurinë e ruajtur gjatë procesit zgjedhor.

“Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Faleminderit për besimin e dhënë nga votuesit e koalicionit tonë. Ky është një rezultat i një qeverisjeje të mirë,” tha Kurti, duke theksuar se koalicioni i tij fitues do të formojë Qeverinë e re të Kosovës, Kurti 3.

Kurti theksoi se edhe pse partitë e tjera mund të bashkohen, ato nuk mund të krijojnë qeveri pa votat e Vetevendosjes.

Ai tutje tha qytetarët i kanë rezistuar një lufte hibride, kundër Vetëvendosjes, duke shtuar se “populli fitoi, fitoi Vetevendosja”.

Donika Gervalla: “Fitore e madhe për koalicionin tonë”

Kryetarja e Listës Guxo, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cilësoi këtë ditë si një fitore të madhe për koalicionin dhe theksoi se rezultatet preliminare janë në favor të Vetevendosjes. Ajo shtoi se, pas përfundimit të numërimit të votave, do të formojnë qeverinë dhe do të udhëhoqen për katër vitet e ardhshme.

Mimoza Kusari Lila: “Vetevendosja është e para”

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila u shpreh se VV ka marrë mbështetje të dukshme nga qytetarët e Kosovës, duke e theksuar se Qeveria Kurti 3 do të vazhdojë qeverisjen pas përfundimit të numërimit të votave dhe verifikimit të rezultateve.


Shtuar 9.02.2025 23:53