Vetëvendosja e Kurtit merr 72% e votave me postë në Kosovë, dominim i thellë në diasporë!

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i më shumë se 27 mijë votave të dërguara me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Sipas rezultateve të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje prin bindshëm sa i përket votave me postë, duke marrë 72.20 për qind apo 19.344 vota.

Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se këto nuk janë fletëvotimet e fundit nga jashtë Kosovës që do të numërohen.

Të tjera fletëvotime që i takojnë votimit me postë janë tërhequr nga KQZ me datë 2 dhe 5 janar, njoftoi ai.

“Janë rreth 20 mijë pako me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar që pritet të numërohen së shpejti”, tha Elezi.

“Por, derisa të bëhet vlerësimi dhe verifikimi i tyre, KQZ pritet që deri në orën 20:00 të fillojë më numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, shtoi ai.

KQZ tha se nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të Kosovës, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9.900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2.860.

KQZ pret që rezultatet përfundimtare të shpallen më herët seç kishte planifikuar, përkatësisht para 19 janarit.

Sipas rezultateve të përmbledhura deri më tani, LVV-ja ka fituar 50.67 për qind, PDK-ja 20.43 për qind të votave, LDK-ja 13.33 për qind, AAK-ja 5.52 për qind dhe Lista Serbe 4.56 për qind.


Shtuar 5.01.2026 20:54