kosovë

Vendimi i Hagës dhe ndikimi i tij në historinë e luftës së Kosovës

Gjykatat përcaktojnë se cilët persona mbajnë përgjegjësi penale për një krim, por dokumentet, dëshmitë dhe përfundimet e prodhuara gjatë një procesi mund të mbeten të rëndësishme shumë kohë pas përfundimit të tij.

Në këtë kuadër merr një domethënie tjetër aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj katër prej ish-drejtuesve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të lidhura

None found

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të vendosura në Hagë, i gjetën fajtorë të katërt për krime lufte dhe u shqiptuan dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burg. Për akuzat për krime kundër njerëzimit, ata u shpallën të pafajshëm.

Vendimi është i shkallës së parë dhe trajton përgjegjësinë penale individuale të katër të akuzuarve, jo përgjegjësinë e UÇK-së si organizatë.

Megjithatë, rëndësia e procesit nuk kufizohet vetëm te e ardhmja juridike e tyre. Gjatë gjykimit u krijua një arkiv i gjerë me dokumente, dëshmi dhe konstatime që lidhen me krimet, organizimin e UÇK-së dhe rolin e drejtuesve të saj.

Sipas aktgjykimit, paneli konstatoi përgjegjësi penale të të akuzuarve për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 të tjerëve dhe vrasjen e 96 personave.

Gjykatësit arritën gjithashtu në përfundimin se të katërt kishin dhënë kontribut të rëndësishëm në një “qëllim të përbashkët kriminal”, i cili synonte persona të perceptuar si kundërshtarë të objektivave politike ose ushtarake të UÇK-së.

Këto mbeten përfundime juridike të nxjerra nga një gjykatë e shkallës së parë. Sidoqoftë, bashkë me provat dhe materialet e administruara gjatë procesit, ato tashmë janë pjesë e një fondi shumë më të gjerë dokumentues për luftën në Kosovë.

Në këtë pikë ndërthuren, por edhe përplasen, drejtësia, historia dhe kujtesa kolektive.

Historianët dhe sociologët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë theksojnë se një vendim gjyqësor nuk mund ta shkruajë historinë. Ai, megjithatë, mund të shërbejë si një prej burimeve për interpretimin e saj, sidomos për brezat që nuk do ta njohin luftën përmes përjetimit të drejtpërdrejtë.

Ibrahim Gashi, profesor i Historisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se, nëse vendimi mbetet i pandryshuar, skenari më negativ do të ishte ndikimi i tij në krijimin e një narrative të dytë për natyrën e UÇK-së.

Ndryshe nga ai, drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, Florian Bieber, nuk beson se aktgjykimi do t’i ndryshojë rrënjësisht narrativët historikë për luftën e Kosovës.

Bieber i tha Radios Evropa e Lirë se dyshon që një ndryshim i tillë të ndodhë, pasi as vendimet e mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe as ato të gjykatave të tjera nuk i kanë transformuar në mënyrë thelbësore interpretimet historike.

Sipas tij, puna e gjykatës duhet dalluar qartë nga ajo e historianit. Një proces penal synon të përcaktojë nëse persona të caktuar janë penalisht përgjegjës për krime konkrete, ndërsa historia kërkon një tablo më të gjerë.

Hulumtimi historik përfshin kontekstin politik dhe ushtarak, zhvillimet në terren, marrëdhëniet ndërmjet strukturave dhe shoqërisë, si dhe burime të shumta që nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtën peshë brenda një procesi gjyqësor.

Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, një prej temave kryesore ishte funksionimi i UÇK-së dhe raporti që katër të akuzuarit kishin me strukturat e saj.

Bieber vëren se pjesa më e madhe e studiuesve dhe vëzhguesve e kanë konsideruar UÇK-në një organizim relativisht të decentralizuar, pa hierarki të fuqishme. Për këtë arsye, ai nuk pret që vetëm një aktgjykim ta rrëzojë këtë interpretim.

Kjo, megjithatë, nuk nënkupton se procesi gjyqësor nuk ka rëndësi për historianët. Gjatë tij dëshmuan më shumë se 130 persona dhe u administrua një sasi e konsiderueshme materialesh.

Për studiuesit, vlera e gjykimit mund të mos qëndrojë vetëm te përfundimet juridike, por edhe te dokumentacioni dhe dëshmitë që ai ka bërë publike.

Bieber pret që i gjithë ky material t’i nënshtrohet hulumtimit. Ai nënvizon se ajo që është interesante dhe e rëndësishme për një hetim penal ndryshon nga ajo që kërkon studimi historik, pasi pyetjet nuk janë të njëjta dhe historia rrallë përqendrohet në përcaktimin e përgjegjësisë. Pavarësisht kësaj, sipas tij, historianët që studiojnë konfliktin dhe UÇK-në do të duhet ta trajtojnë këtë rast.

Edhe Gashi e konsideron aktgjykimin një burim që meriton të analizohet nga historianët, por jo një dokument të aftë për ta përcaktuar i vetëm historinë e luftës.

Sipas tij, ky vendim do të jetë vetëm një referencë mes shumë të tjerave. Ai thekson se tashmë janë botuar një numër i madh librash me një narrativë të qëndrueshme, e cila përputhet me faktet e ndodhura në terren.

Mes autorëve dhe ish-zyrtarëve perëndimorë që kanë shkruar për luftën, diplomacinë dhe ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, Gashi përmend Madeleine Albright, Wesley Clark, James Pardew dhe Marc Weller.

Në vlerësimin e tij, historiografia nuk do të ndërtohet vetëm mbi dokumentacionin gjyqësor. Pjesë e bazës për shkrimin e historisë së konfliktit do të vazhdojnë të jenë dëshmitë e protagonistëve, burimet ndërkombëtare, historia gojore dhe përjetimet e popullatës civile.

Një faktor tjetër është se aktgjykimi i 16 shtatorit ende nuk është përfundimtar. Si vendim i shkallës së parë, ai mund të kundërshtohet në apel, prandaj pesha që do të ketë në planin afatgjatë historik nuk mund të vlerësohet ende.

Përtej historisë akademike qëndron edhe çështja e kujtesës kolektive, pra mënyra se si shoqëria i kujton, i interpreton dhe ua përcjell brezave ngjarjet e së kaluarës.

Shemsi Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se brenda Kosovës ndikimi i aktgjykimit mund të jetë më i kufizuar.

Sipas tij, perceptimi i një pjese të madhe të shoqërisë kosovare për luftën nuk është formësuar nga dokumentet gjyqësore, por nga përvoja e jetuar drejtpërdrejt.

Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se e vërteta e qytetarëve të Kosovës lidhet me atë që kanë përjetuar në jetën e tyre, me vuajtjet, dhimbjet, përpjekjet, angazhimin, djersën dhe gjakun. Ndërkombëtarët, sipas tij, e shohin çështjen më ftohtë, përmes dokumenteve dhe vendimeve institucionale, pa pasur të njëjtën ndjesi.

Për këtë arsye, ai nuk mendon se aktgjykimi do ta ndryshojë në themel mënyrën se si kujtohen sot UÇK-ja dhe lufta brenda Kosovës.

Sipas Krasniqit, vendimi nuk pritet të ketë ndikim të tillë në Kosovë, sepse populli e njeh mirë historinë e vet dhe është i vetëdijshëm për vlerat e UÇK-së, rëndësinë e luftës për liri dhe domosdoshmërinë e saj.

Me kalimin e viteve, megjithatë, mund të ndryshojë raporti ndërmjet kujtimeve të drejtpërdrejta dhe dokumenteve. Kjo merr rëndësi të veçantë kur në qendër nuk është më brezi që e përjetoi konfliktin, por ai që do ta mësojë atë vetëm nga librat, arkivat, filmat, dëshmitë dhe vendimet e gjykatave.

Krasniqi e përshkruan këtë si një rrethanë komplekse që e vështirëson situatën. Ai thotë se është e vështirë të parashikohet se si do të shpjegohet historia pas 25 apo 50 vjetësh, pasi nuk dihet se çfarë zhvillimesh të tjera do të ndodhin, cilët narrativë do të forcohen, cilët do të mbizotërojnë dhe rreth kujt do të arrihet pajtueshmëri ose konsensus.

Lufta dhe narrativët e ndryshëm

Vendimi i 16 shtatorit nuk është përpjekja e parë e një gjykate për të trajtuar historinë e luftës. Para tij është krijuar tashmë një tërësi aktgjykimesh ndërkombëtare për krimet e kryera në Kosovë.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka dënuar disa ish-zyrtarë të lartë serbë nga politika, ushtria dhe policia për krime të kryera në Kosovë.

Megjithatë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare nuk i kanë mbyllur përplasjet mbi interpretimin e luftërave të viteve ’90.

Bieber thotë se përvoja e 25 vjetëve të fundit nuk jep shumë arsye për optimizëm sa i përket ndikimit të aktgjykimeve ndërkombëtare në formësimin e narrativëve historikë. Sipas tij, vendimet zakonisht janë pranuar kur kanë qenë në përputhje me narrativin kombëtar dhe janë kundërshtuar kur nuk i janë përshtatur atij.

Ai pret që edhe aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit të interpretohet ndryshe në Kosovë dhe në Serbi.

Sipas Bieberit, nacionalistët serbë pritet ta shohin vendimin si vërtetim të pikëpamjeve të tyre, duke anashkaluar faktin se shumë më tepër oficerë serbë janë dënuar për krime më të rënda, pa përmendur të tjerët që nuk janë gjykuar asnjëherë. Në Kosovë, ndërkaq, ai thotë se tashmë po vërehet një refuzim i bazuar në pretendimin e gabuar se aktgjykimi rrezikon në njëfarë mënyre të dhënat historike.

Edhe Gashi parashikon se qarqet nacionaliste në Serbi do ta përdorin vendimin për të mbështetur narrativin e tyre lidhur me luftën në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, angazhimi i historianëve bëhet edhe më i rëndësishëm.

Ai thotë se historianët kanë për detyrë të përdorin argumente që vijnë nga kujtesa kolektive dhe dëshmitë e protagonistëve të ndryshëm përmes historisë gojore, si dhe të marrin në konsideratë referencat e autorëve perëndimorë që kishin qasje dhe informacione nga terreni.

Kalimi i kohës shtron njëkohësisht pyetjen se për sa kohë mund të mbijetojë kujtesa e drejtpërdrejtë e luftës.

Krasniqi beson se kjo përvojë do të vazhdojë të transmetohet për dekada dhe nuk do të harrohet. Ai argumenton se lufta është dokumentuar, vizualizuar dhe shkruar, ndërsa më pas është trajtuar edhe përmes krijimeve artistike, letrare dhe filmike, ndaj kujtesa për të do të mbetet e gjallë.

të fundit

Albin Kurti zhvilloi takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë…

51 seconds ago

Jotova: Bullgaria i ka përmbushur të gjitha kërkesat ndërkombëtare për shoqatat e maqedonasve

Presidentja bullgare Ilijana Jotova, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në Strasburg tha se…

4 minutes ago

Protesta para Kuvendit shoqërohet me tensione, policia shoqëron 25 persona

Të paktën 25 persona janë shoqëruar nga policia , pas tensioneve të regjistruar anë protestën e mbajtur sot te Kuvendit,…

10 minutes ago

Tromp: Serbia do ta shfrytëzojë aktgjykimin si armë juridike kundër Kosovës

Studiuesja, profesoresha, autorja dhe ish hetuesja e Tribunalit për Krime Lufte në Ish Jugosllavi (ICTY) Nevenka Tromp ka kritikuar aktgjykimin…

12 minutes ago

Debati për pagat e gjyqësorit, EAJ kundërshton projektligjin: Cenohet fuqia detyruese e vendimit të Kushtetueses

Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve (EAJ) ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke e…

21 minutes ago

Indonesia: Couple receive 100 lashes each for adultery; woman collapses in pain

Një çift u ndëshkua me nga 100 goditje me shkop për shkak të tradhtisë bashkëshortore, në bazë të ligjeve të…

24 minutes ago