Vdes Dick Marty, senatori zviceran që akuzoi UÇK-në për trafikim me organe

Ish-senatori dhe prokurori zviceran Dick Marty vdiq të enjten në moshën 78-vjeçare, ka konfirmuar partia e tij.

“Me pikëllim të madh mësuam për vdekjen e ish-këshilltarit të shteteve Dick Marty. Ai ka qenë anëtar i dhomës së vogël nga viti 1995 deri në vitin 2011. FDP shpreh ngushëllimet më të thella për të afërmit e tij”, shkroi partia.

Në vitin 2010, Marty publikoi një raport mbi trafikimin e supozuar të organeve në Kosovë që implikonte UÇK-në.

Për shkak të kësaj, Marty kishte thënë se i është bërë një atentat nga Serbia. Ai kishte qenë është nën mbrojtje të lartë policore për shkak të kërcënimeve me jetë, të cilat, siç kishte thënë në një intervistë për median zvicerane “RTS”, më 10 prill 2022, i vijnë nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe”.

Ai kishte akuzuar autoritetet zvicerane se “nuk kanë ndërmarrë asnjë hap apo veprim diplomatik me Beogradin”, në lidhje me situatën në të cilën është gjendur.

Marty ka thënë se më 18 dhjetor, 2020, ka pranuar një telefonatë nga policia, e cila e ka njoftuar se është i rrezikuar dhe se do të vendoset nën mbrojtje të lartë policore.

Marty ka lindur në kantonin jugor italishtfolës të Ticinos, ku shërbeu si zëvendësprokuror publik, më pas prokuror publik nga viti 1975-1989. Ai ishte anëtar i qeverisë kantonale të Ticinos nga viti 1989 deri në 1995, shkruan gazeta zvicerane “Blick”, transmeton Gazeta Express.

I zgjedhur në Senatin zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011. Ndër nismat e tij ishin instalimi i një prokurori federal të pavarur dhe dekriminalizimi i abortit.

Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.

Në emër të komitetit, ai më herët hetoi burgjet sekrete të CIA-s në Europë, duke publikuar një raport në vitin 2006 që thoshte se 14 vende kishin bashkëpunuar me SHBA-në në një “rrjetën e merimangës” të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Marty tha se vende të tjera, përfshirë Zvicrën, ishin përfshirë në mënyrë aktive ose pasive në ndalimin ose transferimin e personave të panjohur.


Shtuar 28.12.2023 18:32