Vdekja e Shemsi Krasniqit, reagon Vjosa Osmani dhe Albin Kurti: Pikëllimi është mbarëkombëtar! “Xhamadani vija-vija” do vijojë të na bashkojë!

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë shprehur ngushtimet për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit, i njohur si “Shemi”, vokalisti i grupit legjendar “Ilirët”.

Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani theksoi se me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e artistit, i cili me zërin dhe krijimtarinë e tij la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.

Ajo veçoi këngën ikonike “Xhamadani vija vija”, duke e cilësuar si një kujtim të fuqishëm dhe simbolik që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada.

“Xhamadani vija vija mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet”, tha Osmani.

Ajo rikujtoi gjithashtu se dy vjet më parë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Shemsi Krasniqi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar me ‘Medaljen Presidenciale të Meritave’.

Edhe Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes, duke nderuar figurën e Shemit, si një zë që do të dëgjohet përherë.

“Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo. Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror”, shkroi Kurti.

Sipas mediave në Kosovë, Shemsi Krasniqit ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare, ndërsa u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi – Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur. Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg.

Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo.

Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes.

Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar. Të gjithë ne ta nderojmë me respektin që i takon, duke e mbajtur gjallë në kujtim dhe në mirënjohje.

Disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër. Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit. U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu”.


Shtuar 22.12.2025 22:24