Categories: kosovë

Tre të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit deklarohen të pafajshëm

Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të arrestuar në lidhje me sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, kanë deklaruar se nuk kanë faj për veprat penale që u vihen në barrë.

Të lidhura

None found

Në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy vëllezërit Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq hodhën poshtë përgjegjësinë për dëmtimin e kanalit, akt që sipas aktakuzës synonte të rrezikonte rëndë furnizimin me ujë dhe energji elektrike për një pjesë të Kosovës dhe që, sipas saj, ishte planifikuar në Serbi.

Përpara gjykatësit Vesel Ismajli, ata pohuan se e kanë kuptuar përmbajtjen e aktakuzës, por u deklaruan të pafajshëm.

Pas këtyre deklarimeve, prokurori i çështjes, Bekim Kodraliu, tha se disponon prova të mjaftueshme që, sipas tij, dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretenduan vëllezërit Viçentijeviq dhe Dimoviq.

Në fjalën hyrëse, ai paraqiti prova materiale, përfshirë edhe pamje, për të cilat u shpreh se mbështesin aktakuzën dhe se tregojnë në mënyrë të pakontestueshme fajësinë e tre të akuzuarve.

“Kjo aktakuzë nuk ka të bëjë vetëm me një vepër të zakonshme penale. Ajo ka të bëjë me një sulm të organizuar dhe të planifikuar mirë kundër infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës, një infrastrukturë jetike për furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm dhe për funksionimin e sistemit energjetik të vendit. Në bazë të provave që do të administrohen para jush, do të vërtetohet se më datë 29 nëntor 2024, të pandehurit Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar ende, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ushtarak, rreth 20 kilogramë TNT, në kanalin e Ibër-Lepencit, duke shkaktuar dëmtime të rënda materiale, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe duke rrezikuar seriozisht furnizimin me energji elektrike në një pjesë të vendit. Andaj, edhe për këto veprime, prokuroria i ngarkon të pandehurit për veprën penale: rrezikim i rendit kushtetues, shkatërrimi apo dëmtimi i instalimeve dhe pajisjeve publike, lidhur me veprën penale: kryerja e veprës terroriste, në bashkëkryerje. Po ashtu, gjatë kontrolleve të realizuara në pronat e të pandehurve, janë gjetur dhe sekuestruar sasi e madhe e armëve, municione, granata, mjete ushtarake të komunikimit, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera, posedimi i të cilave pra ka qenë në kundërshtim me ligjin në fuqi. E që si pasojë edhe akuzohen për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, tha Kodraliu, raporton KosovaPress.

Më tej, Kodraliu deklaroi se Prokuroria do të sjellë edhe rezultate hetimore të kryera në bashkëpunim me FBI-në e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe prova shkencore të siguruara nga policia italiane.

“I nderuar trup gjykues, provat që do të paraqiten gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor përbëhen nga: raportet e Policisë së Kosovës, raportet e teknikës kriminalistike, ekspertizat e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, analizat e ADN-së, ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – FBI, ekspertizat e Policisë Shkencore të Republikës së Italisë, me zyrën në Romë, raportet e organeve kompetente, analizat e eksplozivëve duke përfshirë edhe atë të KFOR-it amerikan, analizat e pajisjeve elektronike, dëshmitë materiale, dokumentacioni i siguruar gjatë kontrolleve, si dhe prova të tjera që në tërësinë e tyre krijojnë një zinxhir logjik të pandërprerë dhe të ndërlidhur me faktet e paraqitura në aktakuzë”, tha Kodraliu, raporton KosovaPress.

Sipas tij, sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit nuk ka qenë një akt i rastësishëm apo i izoluar, por pjesë e një veprimtarie të organizuar, të planifikuar dhe të koordinuar, me synim të vetëm goditjen e infrastrukturës kritike dhe sigurisë kombëtare të Kosovës. Ai shtoi se përgatitjet për këtë sulm janë zhvilluar në Serbi, në vendin e quajtur “Livadhet e Fasuleve”.

“Prokuroria para jush do të paraqesë prova që sipas vlerësimit tonë, tregojnë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit përbën vazhdimësi të një serie sulmesh të rënda që në tre vitet e fundit kanë pasur për objektiv cenimin e rendit juridik dhe sigurinë kombëtare. Sipas provave që kemi siguruar dhe që do të paraqiten para jush, ky sulm paraqet sulmin e katërt të natyrës së tillë. Pas ngjarjeve të mëhershme që kanë cenuar drejtpërsëdrejti institucionet dhe sigurinë e vendit. Gjithashtu, prokuroria para jush do të paraqesë prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet që sipas provave janë zhvilluar në poligonin ushtarak serb të quajtur ‘Pasuljanske Livade’ në Republikën e Serbisë, ku tashmë po dyshohet se aty ka pasur një varrezë masive. E krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Republikës së Kosovës. E që nga provat që kemi siguruar që do të prezantohen para jush dhe nga provat e rasteve të mëhershme vërtetohet se qeveria serbe ka pasur një rol kyç në këto përgatitje”, tha ai, shkruan KosovaPress.

Kanali i Ibër-Lepencit u dëmtua nga shpërthimi me eksploziv më 29 nëntor 2024, pranë fshatit Varagë të Zubin Potokut. Nga shpërthimi u shkaktuan dëme të mëdha në strukturën e kanalit, duke vënë në rrezik furnizimin me ujë dhe funksionimin e sektorit energjetik.

Pas ngjarjes, institucionet e Kosovës morën masa emergjente për riparimin e dëmeve dhe arritën të stabilizonin rrjedhën e ujit brenda një kohe të shkurtër, duke shmangur ndërprerje të gjata të furnizimit.

Autoritetet kosovare e cilësuan rastin si sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike, ndërsa Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe partnerët ndërkombëtarë, nisën menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve dhe motiveve të sulmit. Rasti u dënua edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.

Vetëm një ditë pas sulmit, Policia e Kosovës arrestoi tetë persona gjatë bastisjeve të zhvilluara në 10 lokacione në veri të vendit, ku u sekuestruan armë, municione, eksplozivë, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera, ndërsa më 1 dhjetor 2024 u arrestua edhe tani i akuzuari Jovan Viçentijeviq.

të fundit

Klekovski: Nga 1 gushti “Foster” do të merret pa pagesë shtesë

Ilaçi “Foster”, terapi inhalatore për astmën dhe sëmundjen kronike obstruktive pulmonare (COPD), pritet që nga 1 gushti të jetë i…

11 seconds ago

EMRAT/ Aksion i gjerë kundër tjetërsimit të pronave, goditet Kadastra e Durrësit: 12 masa sigurie për zyrtarë, ish-zyrtarë dhe përfitues

Një operacion i gjerë i SPAK ka goditur Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, duke vënë në shënjestër një rrjet…

8 minutes ago

Defendant in Old Nagorichane killings denies guilt, lawyer withdraws from defense

Në një atmosferë të tensionuar dhe me të pandehurin që sillej çuditshëm, sot në Gjykatën Penale në Kumanovë filloi gjyqi…

8 minutes ago

Process begins to close Gjilan Detention Center, facility to be used under agreement with Denmark

Nis mbyllja e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes me Danimarkën. Ky objekt do të shfrytëzohet për…

9 minutes ago

Mud on the boots and DNA on the detonating fuse, Kodraliu presents FBI and Rome Scientific Police evidence in the “Ibër-Lepenc” attack case

Janë ekspertizat e Byros Federale të Hetimeve të SHBA dhe ato të Policisë Shkencore të Romës, që po dëshmojnë lidhjen…

9 minutes ago

The three accused in the attack on the Ibër-Lepenc canal plead not guilty

Tre personat që janë arrestuar në lidhje me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, më…

9 minutes ago