Kapacitetet e pamjaftueshme për trajtimin e personave me çrregullime mendore që bien ndesh me ligjin vijojnë të konsiderohen ndër sfidat më të mëdha për sistemin korrektues dhe atë shëndetësor në Kosovë. Kjo çështje u ngrit në tryezën “Parandalimi i torturës përmes mbrojtjes së shëndetit mendor në institucionet korrektuese”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), me rastin e 26 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës.
Menaxherja e programit në QKRMT, Fatmire Haliti, tha se ndalimi i torturës nuk lidhet vetëm me pengimin e dhunës fizike, por edhe me sigurimin e kushteve që ruajnë integritetin fizik dhe psikologjik të personave të privuar nga liria.
None found
Sipas saj, monitorimet shumëvjeçare të QKRMT-së kanë evidentuar raste kur persona me probleme të rënda të shëndetit mendor janë mbajtur në institucione korrektuese, edhe pse vendimet gjyqësore kishin paraparë trajtimin e tyre në institucione të specializuara shëndetësore. Ajo tha se mungesa e kapaciteteve e ka vështirësuar ofrimin e trajtimit të duhur për këtë kategori.
“Personat me çrregullime mendore dhe nevojat të veçanta përbëjnë një nga grupet më të margjinalizuara apo më sfiduese për trajtimin në këto institucione…Andaj, në situatën çfarë jemi domethënë, ne kemi avokuar në të kaluarën, por edhe tani domethënë edhe përmes kësaj tryeze synojmë që të bëjmë thirrje te institucionet përkatëse për krijimin e strukturës organizative të institucioneve korrektuese për vendosjen adekuate dhe trajtimin adekuat të personave me çrregullim mendor që bien ndesh me ligjin. Ajo që është më shqetësuesja, këto raste domethënë shpeshherë paraqesin rrezik për veten, për personat e tjerë të privuar nga liria, e po ashtu ka raste ku vet rrezikohet edhe vet jeta e stafit korrektues. Për më tepër, në disa raste këto këta persona përfundojnë në mënyrë tragjike duke kryer edhe vetëvrasje gjatë mbajtjes së tyre në vendet e privimit nga liria…Prandaj bëjmë thirrje në këtë ditë që të plotësohet infrastruktura përkatëse dhe çdo person që konstatohet që ka probleme të shëndetit mendor dhe që ka nevojë për trajtim, të vendoset në institucion ku ka staf të mjaftueshëm, staf profesional dhe do të marrin trajtimin e merituar.”, tha Haliti.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi se ndalimi i torturës dhe i çdo forme të trajtimit çnjerëzor është detyrim institucional, ndërsa tha se dinjiteti njerëzor duhet të mbrohet për të gjithë personat e privuar nga liria.
Ai nënvizoi se Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës po vazhdon monitorimin e rregullt të vendeve të privimit nga liria dhe se ndër shqetësimet kryesore mbetet mungesa e hapësirave dhe kapaciteteve për akomodimin dhe trajtimin e personave me çrregullime mendore.
“Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, ushtron një rol kyç në monitorimin e vendeve të personave ose ku mbahen të privuar personat nga liria. Përmes vizitave të rregullta, të paparalajmëruara, raporteve dhe rekomandimeve, Mekanizmi kontribuon në identifikimin e mangësive, parandalimin e keqtrajtimit dhe promovimin e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin human dhe me dinjitet. Një nga çështjet që Avokati i Popullit e ka trajtuar vazhdimisht ndër vite, është respektimi i të drejtave të personave me çrregullim mendor që janë në vuajtje të dënimit ose në konflikt me ligjin. Kjo kategori përfaqëson një nga grupet më të cenueshme, pasi përveç privimit nga liria, ata përballen edhe me nevoja komplekse shëndetësore dhe sociale, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mbrojtje të shtuar…Ndër shqetësimet kryesore vazhdon të jetë mungesa e kapaciteteve për akomodim të personave me çrregullim mendor. Për pasojë, këta persona me probleme serioze psikiatrike vazhdojnë të mbahen në qendrat e paraburgimit ose në institucionet korrektuese, ndërsa rekomandimet profesionale kërkojnë trajtim në institucionet e specializuara.”, tha ai.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se personat me çrregullime mendore janë ndër kategoritë më të ndjeshme brenda institucioneve korrektuese dhe theksoi se Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar trajtimin e tyre.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet për zgjerimin e kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Po ashtu, sipas tij, në Qendrën Korrektuese në Dubravë është themeluar institucioni për trajtimin e personave me nevoja të veçanta.
“Për adresimin e kësaj sfide, me kërkesën tonë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë buxhet për zgjerimin e kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, pasi kapacitetet aktuale janë shumë të limituara. Ky projekt pritet të përfundojë brenda disa muajve. Sa i përket trajtimit të këtyre personave gjatë vuajtjes së dënimit, me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë është themeluar institucioni për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, i cili funksionon si pavion i ndarë në kuadër të Qendrës Korrektuese në Dubravë…Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në avancimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe garantimin e trajtimit dinjitoz të personave të privuar nga liria.”, tha Nimoni.
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, tha se mbrojtja e shëndetit mendor për personat e privuar nga liria është një detyrim i përbashkët institucional dhe lidhet drejtpërdrejt me respektimin e dinjitetit të njeriut.
“Mbrojtja e shëndetit mendor të personave të privuar nga liria nuk është vetëm çështje e sistemit shëndetësor, por një përgjegjësi e përbashkët institucionale që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e dinjitetit dhe të drejtave themelore të njeriut. Nga perspektiva e gjyqësorit, kjo çështje ka një rëndësi të veçantë në rastet kur gjykatat vendosin për masa që prekin lirinë dhe trajtimin e personave me çrregullime mendore. Gjykatat e Republikës së Kosovës gjatë vendimmarrjes për caktimin e masave të trajtimit të detyrueshëm bazohen në ligj dhe në vlerësimet profesionale të ekspertëve përkatës, por njëkohësisht kanë gjithmonë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, integritetit personal dhe të drejtave themelore të individit…Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe avancimin e praktikave që garantojnë trajtim të drejtë, human dhe dinjitoz për secilin individ.”, tha ajo.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se prej tre vitesh nuk ekziston asnjë rast kur një person, për të cilin gjykata ka urdhëruar trajtim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, mbahet në burg.
Ai shtoi se institucioni për trajtimin e personave me nevoja të veçanta është themeluar para dy vitesh dhe, sipas tij, paraqet një model për rajonin, megjithëse mbeten të nevojshme investime të tjera dhe rritje e stafit profesional.
“Po e nisim me këtë një dilemë, nuk kemi as edhe një person të vetëm, jo vetëm sot, por ka tre vite, asnjë person të vetëm i cili në aktvendim të gjykatës shkruan që trajtimi do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike dhe ky mbahet në burg. Është zero raste, ka tre vite që asnjë rast i tillë. Themelimi i institucionit për trajtimin e personave me nevoja të veçanta ka qenë obligim ligjor që nga viti 2014. Ky institucion është themeluar vetëm para dy viteve dhe është shembull për rajonin. Ai i plotëson të gjitha nevojat? Sigurisht që nuk i plotëson, por jemi në rrugë të mbarë që të plotësohet edhe ajo pjesa e mbetur.”, tha Dibrani.
Bilanci i jetëve të humbura nga tërmetet në Venezuelë ka arritur në 589, ndërsa 2,980 persona janë plagosur, bëri të…
Një moment mes Lamine Jamal dhe një tifozi, është bërë shpejt viral në mediat sociale. Përpara se talenti i Spanjës…
Veprimtaria e kompanisë Sori AL është pezulluar pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, rasti i dytë i…
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot në kuadër të seancës së 108-të, miratoi ligjet për shërbimin gjyqësor dhe shërbimin e…
Sipas raportimeve të mediave botërore, ylli i Barcelonës, Raphinha, është tradhtuar financiarisht nga babai i tij, Rafael Belloli.Raportet pretendojnë se…
Temperaturat e verës i kanë detyruar përsëri shoferët të përdorin kondicionerin sapo ulen në veturë. Por a e keni vënë…