Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani. Me anë të një njoftimi, Prokuroria bën të ditur se hetimet nisën për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës znj.Vjosa Osmani-Sadriu, në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”. Në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu Prokuroria Speciale tha se ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.
Ndërkohë Presidenca, përmes një reagimi, ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes Osmani. Presidenca tha gjithashtu, se ata që sot flasin për ‘tradhti’ dhe ‘pushkatim’ dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike.
“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike”, thuhet mes të tjerash në reagim./
