Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, deklaroi se perspektiva e Prishtinës është në Bashkimin Evropian, por theksoi se hyrja në bllok kërkon reforma.
None found
Pas takimeve që zhvilloi me udhëheqës politikë në Kosovë, ai shkroi në X: “Po punojmë në këtë drejtim”.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Terras e nisi agjendën me një takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Sipas Presidencës së Kosovës, Haxhiu kërkoi që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet “pa vonesa të mëtejme”, duke nënvizuar se ecja e vendit drejt bllokut evropian duhet të matet në bazë të meritave.
“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
Kosova e paraqiti aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, kërkesa ende nuk ka hyrë as në hapin e parë formal, që është shqyrtimi nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimi për opinion në Komisionin Evropian. Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa statusin e vendit kandidat.
Njoftimi po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit, Haxhiu trajtoi edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe “mungesën e përgjegjësisë” për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Më 2023, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter. Në përplasjen me armë humbën jetën edhe tre sulmues serbë.
Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe përgjegjës bën Beogradin. Serbia, ndërkaq, e mohon përfshirjen. Përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ndërsa Kosova vazhdon të kërkojë nga Serbia ekstradimin e tij.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, eurodeputeti Terras zhvilloi takim edhe me ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në përkrahjen e aspiratave të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja.
Në Prishtinë, Terras u takua edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Vizita e raportuesit të përhershëm për Kosovën në PE vjen pasi në mesin e muajit qershor, PE-ja miratoi rezolutën vjetore për Kosovën. Pas miratimit të saj, Terras deklaroi se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga blloku, mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës. / REL
Gjatë konferencës së mbajtur sot nga Prokuroria Speciale për rastin kundër trafikimit të narkotikëve, pyetur nga mediat për kompetencat e…
Një histori tronditëse dhune në familje po hetohet nga Prokuroria e Milanos, ku një menaxher 51-vjeçar pretendon se është rrahur,…
Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi po e monitorojnë situatën e mesfushorit argjentinas, i cili mund të jetë një nga…
"Maqedonia e Veriut nuk ka bërë asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet i përhapur dhe shkak serioz…
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka prezantuar pikëpamjet e tij mbi situatën politike dhe diplomatike në Kosovë.…
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesat e të akuzuarit Muhamet Alidemaj dhe mbrojtësit të tij,…