Categories: kosovë

Takimi Kurti-Hamza mbyllet pa dakordim, Kurti e cilëson konstruktiv, Hamza konfirmon se PDK mbetet në opozitë

Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete për formimin e institucioneve të reja.

Pas takimit, Kurti tha se biseda e parë me Hamzën ishte konstruktive dhe u zhvillua në një atmosferë vullneti e interesimi për t’i dhënë Kosovës institucionet e reja, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, ai theksoi se aktualisht nuk ka ndonjë rezultat konkret për t’u ndarë me publikun.

Të lidhura

None found

“Ishte takim i parë dhe konstruktiv që kaloi në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit. Aktualisht nuk mund të them se kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që mund ta ndaja me publikun…Uroj që kjo frymë e konstruktivitet të vijojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet kushtetuese të arrijmë të konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetar Kuvendit, qeveri të re, dhe po ashtu president të ri. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera duhet të vijojë të mbizotërojë dhe në këtë mënyrë mund të jemi optimist për rrugën përpara”, deklaroi Kurti.

Nga ana tjetër, Hamza bëri të ditur se PDK do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati dhe se nuk ka marrëveshje me partinë fituese për krijimin e institucioneve.

“Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë, dhe ne i dëshirojmë sukses zotërit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha ai në deklaratën për media pas takimit.

Hamza u shpreh se diskutimet me Kurtin ishin korrekte, por nënvizoi se përgjegjësia për ngritjen e institucioneve i takon partisë që ka më së shumti ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, PDK nuk është pala ndaj së cilës duhet të drejtohen kërkesat për këtë proces.

“Nuk jemi ne palë që neve na bëhen kërkesat, sepse përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të gjitha partitë e tjera politike nuk mundën me zgjedhë Presidentin pa Lëvizjen Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje duhet me zgjedhë partner sipas nevojave dhe kritereve të tyre që mundën me u gjetë në interesat e tyre për me i dhënë vendit institucione”, tha kryetari i PDK-së.

Ai shtoi se në Kuvend, përveç PDK-së, janë edhe 98 deputetë të tjerë dhe, sipas tij, institucionet mund të kompletohen. Po ashtu, Hamza tha se PDK do të bashkëpunojë për çështje që janë në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe se vota e saj do të jetë pro kur bëhet fjalë për interesa të vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar, edhe unë kam qëndruar, kam insistuar, kam premtuar, që vota e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë votë ‘pro’ duke përfshirë marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjet e tjera që kërkojnë dy të tretat e votave e që janë në interes të Kosovës”, deklaroi ai.

Hamza rikujtoi se PDK ka hyrë në këto zgjedhje me një program të fokusuar në ekonomi, mirëqenie sociale dhe rritje të pagave. Edhe para takimit, ai kishte theksuar se fillimisht duhej biseduar për prioritete dhe jo për poste.

“Fillimisht për prioritete se unë kam garuar me një program dhe kam garuar me disa prioritete. Nuk kam garuar për me i pas katër-pesë vetëm ministra, për me pas këtë dhe atë pozicion. Kam garuar me pas ambient të mirë për biznesin, me pas partneritet me aleatë dhe miqtë tanë dhe me i rrit pagat dhe pensionet”, kishte thënë ai.

Takimi u zhvillua në Kuvendin e Kosovës, ku Kurti mbërriti i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Para nisjes së diskutimeve, ai ishte shprehur se priste një takim konstruktiv me synimin për të konstituuar institucionet e legjislaturës së 11-të.

“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet e legjislatures së 11-të”, kishte deklaruar Kurti.

Edhe Hamza, para hyrjes në takim, kishte thënë se po i përgjigjej ftesës së Kurtit pa paragjykime dhe me shpresën që vendi të ketë sukses, progres dhe stabilitet institucional.

“I jemi përgjigjur ftesës, pa paragjyku. Uroj që me pasë sukses dhe progres, vendi me pas institucione e stabilitet institucional, progres e përparim”, kishte thënë ai.

Ky ishte takimi i parë i Kurtit me drejtuesit e partive politike pas certifikimit nga KQZ të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit. Një ditë pas këtij certifikimi, ai u kishte dërguar ftesa për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjë që u konfirmua nga zëdhënësi i Qeverisë, Fatlum Jashari.

Kurti do të zhvillojë sot edhe një takim të ndarë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në orën 18:00, po ashtu në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Abdixhiku ka konfirmuar pjesëmarrjen, duke thënë se do të shkojë me vullnet të mirë për të dëgjuar propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për të kontribuar në shmangien e zgjedhjeve të reja. Ai ka njoftuar gjithashtu se do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së për të kuptuar qëndrimet e tyre.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar ftesën për takim. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka publikuar letrën zyrtare drejtuar Kurtit, ku thuhet se Aleanca nuk e sheh të nevojshëm një takim të tillë dhe mbetet në qëndrimin e shpallur më 26 qershor. Sipas saj, mbështetja për krijimin e institucioneve kushtëzohet me pranimin e gjashtë pikave të ofertës së paraqitur më herët. Në një deklarim tjetër, Gjini ka përmendur disa prej kërkesave të tij, përfshirë gazin amerikan për ta bërë kuorumin për presidentin.

Sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 47.13% të votave, që i siguruan 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 19.44%, apo 22 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% fitoi 18 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi 6.74% dhe shtatë ulëse, kurse komunitetet joshumicë morën gjithsej 20 ulëse.

të fundit

Në lidhje me Mbappen, Ester Exposito: Nuk di pothuajse asgjë për futbollin

Aktorja spanjolle, Ester Exposito, ka folur për vëmendjen e madhe që po merr jeta e saj private, veçanërisht pas raportimeve…

2 minutes ago

De la Fuente i dërgon mesazh Belgjikës: Versioni më i mirë i Lamine Yamal pritet ende

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka vlerësuar paraqitjet e Lamine Yamal në Kupën e Botës 2026, duke thënë…

6 minutes ago

VIDEO/ Besir Mustafa, i njohur si SPRINGI, publikon këngën e re, “Kur me tjetrin je”!

Këngëtari i ri hip-hop nga Shkupi, Besir Mustafa, i njohur si SPRINGI, ka publikuar këngën e re, "Kur me tjetrin…

9 minutes ago

Egli Tako publikon pamje nga prapaskenat e këngës së re “Gabime” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Egli Tako, ka rritur pritshmëritë e fansave për projektin e saj më të ri muzikor. Përmes një videoje…

14 minutes ago

Nikoloski: Kilometrat e parë të autostradës Tetovë–Gostivar pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm

"Nëse vazhdojmë me këtë dinamikë, tashmë vitin e ardhshëm do t’i shohim kilometrat e parë të përfunduar, ndërsa deri në…

18 minutes ago

Rama: Rilindja urbane e nxori vendin nga rrënimi dhe degradimi; dikur kur mbillnim një pemë në Tiranë, njerëzit grumbulloheshin sikur po ndiqnin shfaqje

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e organizuar për programin “Rilindja 2.0”, ku theksoi se arritjet e deritanishme nuk…

19 minutes ago