Në sulmin ndaj dy personave në Shtërpcë ka qenë i përfshirë edhe një pjesëtar i Forcave të Sigurisë të Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se rasti i tij do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që ka në fuqi Ministria e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
“Të dashur qytetarë, tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, tha Mehaj.
Mehaj ka shprehur keqardhjen e tij për atë që ndodhi në Shtërpcë dhe shtoi se raste të tilla janë të izoluara.
“Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, tha ministri. /albeu.com