Sot zhvillohet takimi i shumëpritur, Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksanërr Vuçiç sot (e hënë) do të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Takimi do të zhvillohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti  do të udhëtojë për në Bruksel për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciç, si dhe të dy liderët paraprakisht i pret takim i ndarë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sipas informacioneve të para, pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00.

Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe të hënën palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.

Një zyrtar i lartë evropian tha gjatë javës se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia. Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.

Nuk pritet ndonjë nënshkrim të hënën dhe nëse palët pajtohen për aneksin e propozimit që ka të bëjë me zbatimin, atëherë një ceremoni nënshkrimi mund të ndodhë më vonë gjatë muajit mars në praninë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Të dy udhëheqësit shkojnë në Bruksel mes kritikave në shtëpi. Një pjesë e opozitës në Serbi pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dështim në proces, i cili ndërkaq ka theksuar se mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin.

Në Kosovë një pjesë e opozitës tha se ka shumë paqartësi që lidhen me takimin e së hënës dhe propozimi nuk siguron marrëveshjeve përfundimtare por krijim të një “status-quoje” të re.

Kryeministri Kurti tha gjatë javës se “aleatët e Kosovës e kanë hartuar propozimin si një paketë që do të çojë përpara anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe që përfshin gjithashtu njohjen de facto (nga Serbia), e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Kosova tashmë ka hyrë në vitin e 16 të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia, e cila nuk i sheh me sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit, përfshirë marrëveshjen Kosovë –Serbi, që është kusht për përparimin e palëve në proceset integruese./albeu.com/