Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se këtë të mërkurë do të shpallet konkurs ndërkombëtar për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit dhe familjes së tij në kryeqytet.
Sipas Ramës, kjo shtatore do të jetë e karakterit modern që pasqyron të kaluarën e tij dhe të popullit të Kosovës.
Këto komente i pari i Prishtinës i ka bërë pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar, për vendosjen e monumentit, dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do të kërkojmë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar ide të ndryshme, se si do të duket monument i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishte e përshtatshme për këtë monument”, ka thënë Rama.
Ai ka deklaruar se kryeqyteti kërkon që monumenti të jetë i qasshëm drejtpërdrejtë te qytetarët.
“Sheshi Adem Jashari e ka emrin mirëpo nuk do më thënë domosdoshmërisht që me qenë monumenti aty, për arsyeje se heroizmi, liria të cilën e ka sjellë heroizmi i aspektit monumental i Adem Jasharit me gjithë familjen që kanë dhënë jetën për këtë vend, do të thotë se ata janë në secilin cep të vendit tonë”, tha Rama.
Sheshe të Adem Jashari, sipas tij, ka edhe në qytete tjera dhe nuk do të thotë që “nëse ne ia vëmë emrin një sheshi Adem Jashari që domosdoshmërisht me qenë monumenti aty”, shkruan RTK.
”Ideja është që me qenë diku që është e pashme pra që ka qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve që munden me i shpreh nderime, por edhe me përdor për shembull teknologjinë e re, inteligjencën artificiale, për të treguar historinë se çka ka ndodh. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë ai.