Kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi shkarkon nga detyra nënkryetaren e komunës, Dragana Miletiq. Dyshohet se shkarkimi i nënkryetares ka ardhur pas dyshimit se ka poseduar substanca narkotike.
“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhet në vendim e nënshkruar nga kryetari Hetemi.
Shkarkimi i saj erdhi, pas publikimit në media të pamjeve ku ajo shihet duhet konsumuar substanca narkotike.
Për rastin ka reaguar Prokuroria Themelore e cila ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e rastit të nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq, që dyshohet se ka konsumuar drogë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.