Shkarkohet Kryeprokurori i Shtetit të Kosovës

Anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, që nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e kanë kundërshtuar vendimin e këtij institucioni për shkarkimin e Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Kelmendi dhe disa anëtarë të KPK-së gjatë një konference për media argumentuan se në mbledhjen e 20 nëntorit nuk kishte kuorum. Shkarkimi është raportuar të jetë bërë me pesë vota për, ndërsa në vendin e tij, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit ë Shtetit, është caktuar Agron Qalaj.

Gjatë konferencës për media, anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi, që kundërshtoi vendimin, tha se shkarkimi i Kelmendit është bërë në mënyrë të kundërligjshme pasi në takim nuk kishte kuorum, duke theksuar se kërkohen të jenë mbi gjysma e përbërjes së KPK-së, apo gjashtë anëtarë.

Sipas tij, çdo vendim i marrë pa kuorum “është inekzistent”, duke shtuar se propozimi për vendimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”. Krasniqi pretendoi se pas gjithë kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim isufaj.

“Në njëfarë forme edhe ushtrues i detyrës e tha në takim, mbrapa të gjithë këtij planifikim dhe mbrapa të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Blerim Isufaj”, tha ai, duke i bërë thirrje Agjencisë Kosovare të Inteligjencës që të vlerësojë situatën dhe të ruajë sigurinë juridike në vend.

Krasniqi tha se Kelmendi do të vazhdojë detyrën, pasi sipas tij, nuk ka një vendim të ligjshëm. Ndërkaq, Kelmendi tha se ende nuk ka pranuar asnjë vendim për shkarkimin e tij nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit.

“Në momentin që do ta marr vendimin janë të drejtat e mia ligjore për t’iu drejtuar organeve kompetente gjyqësore dhe ato kanë të drejtën që këtë vendim ta pezullojnë ose ta shqyrtojnë. Varësisht nga vendimet e gjykatës do të veproj edhe unë. Unë respektoj gjithmonë vendimet e gjykatës dhe të organeve kompetente”, tha ai.

I pyetur nëse pas gjithë kësaj qëndroi Isufaj, ai nuk u përgjigj në mënyrë eksplicite, por tha se pesë anëtarët që votuan sot për shkarkimin e tij, ju duhet edhe një person, për të formuar kuorumin.

“Këtu kanë nevojë për kuorum, prandaj ju duhet një njeri më tepër, jo si do të votojë, por një njeri më tepër për të marrë pjesë në takim dhe për të pasur kuorum dhe të marrin vendime sipas dëshirave të tyre”, tha Kelmendi.

Propozimi për shkarkimin e Kelmendit u bë nga anëtarja e Këshillit, Jehona Grantolli. Kryesuesi i takimit, Ardian Hajdaraj tha se në takim ka pasur kuorum të mjaftueshëm për votim, dhe që prania e Kelmendit nuk ka qenë e nevojshme pasi ai do të duhej përjashtuar nga procesi, meqë diskutimet janë bërë për të.

Kelmendi e ka lëshuar sallën disa minuta para votimit, pasi në diskutime e sipër me anëtarë tjerë të KPK-së, ka vlerësuar që propozimi për shkarkimin e tij është përpjekje për shkatërrim të sistemit. Organizata të shoqërisë civile, që merren me fushën e drejtësisë, e kanë vlerësuar si të “kundërligjshëm” vendimin e KPK-së. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se vendimi është “i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”, duke theksuar se në mbledhje kishte mungesë kuorumi.

“Përderisa me këtë përbërje të KPK, kuorumi minimal i vendimmarrjes është të paktën gjashtë anëtarë, pa të cilët nuk mund të mbahet mbledhja, mbajta e takimit dhe nxjerrja e vendimit për shkarkimin dhe caktimin e ri të U.D. Kryeprokurorit, në mungesë të kuorumit, është një vendim abuziv i një pjese të anëtarëve të KPK, që nuk kanë shumicën e nevojshme për mbajtjen e takimeve të KPK dhe aq më pak për vendimmarrje”, u tha në reagim.

Katër nga pesë anëtarët e KPK-së që votuan sot për shkarkimin e Kelmendin, tha IKD-ja, e përfundojnë mandatin e tyre në janar të vitit 2026.

“Nisur nga kjo situatë dhe diskutimet paraprake të KPK në lidhje me zgjedhjen e një anëtare të re në KPK, kjo situatë është tentativë e hapur e grupit të interesit brenda KPK për të ruajtur përbërjen korporatiste, me të cilën ka qeverisur tash e mbi një dekadë”, u tha në reagimin e IKD-së.

Ndërkaq, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësime mbi zhvillimet në KPK, duke e cilësuar vendimin për shkarkim të kundërligjshëm.

“Konkretisht, dispozitat ligjore përcaktojnë qartë se mbledhjet e KPK-së mund të zhvillohen dhe të marrin vendime vetëm nëse sigurohet kuorumi i nevojshëm, ndërsa se rendi i ditës dhe vendimet duhet të merren me shumicë votash. Mosrespektimi i këtyre dispozitave e bën të pavlefshëm çdo vendim të marrë në kundërshtim me procedurat e detyrueshme ligjore”, u tha në reagimin e GLPS-së.

Sipas GLPS-së, përtej aspekteve juridike, zhvillimet në KPK shpërfaqin “gjendjen e brishtë të qeverisjes së brendshme” në këtë këshill, si dhe “nevojën urgjente për reforma thelbësore në funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë”.

“Praktika të tilla jo vetëm minojnë integritetin institucional, por rrezikojnë edhe besimin publik në pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë në tërësi. Kjo situatë dëshmon qartë domosdoshmërine e ndërhyrjeve strukturore për të siguruar një Këshill funksional, të përgjegjshëm dhe të mbështetur në procedura të pakontestueshme ligjore”, tha GLPS.

Shkarkimi i Besim Kelmendit vjen një ditë pasi ai e ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën i ka mohuar raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.

Atëbotë, Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”.

Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë.

Kelmendi e ka konfirmuar se gjatë ditës së mërkurë është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra.

Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.

Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

Deklarimet e tij vijnë pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë pretendimet e këtij mediumi.

Përgjatë konferencës së 19 nëntorit, Kelmendi u pyet edhe pse u ftua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.

“Jam thirrur si dëshmitar sepse një person, që ka qenë prokuror në atë kohë, me emrin Ismet Shufta, kur e kanë pyetur se kush ka punuar në Gjykatë, ai ka përmendur emrat e njerëzve që i kanë rënë ndërmend. I kishte rënë në mend edhe emri im sepse sot jam U.D. i Kryeprokurorit. Nuk e di pse, sepse s’kam marrë asnjë arsyetim”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se është i gatshëm të shkojë sërish në Prokurori për këtë rast. Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje. William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës. Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL


Shtuar 20.11.2025 17:00